Lajmet e fundit
Nga takimi i deputetit Armend Zemaj me kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës z. Fejzullah Hasani
, 09.11.2016
Në cilësinë e kryesuesit të grupit punues, i ngarkuar për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-033 dhe Ligjin 05/L-094, si dhe Ligjin nr. 03/L për Këshillin Prokurorial të Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-035, deputeti Armend Zemaj, anëtar i komisionit për Legjislacion, si dhe kryesues i grupit punues për mbikëqyrje të zbatimit të ligjeve të KPK-së dhe KGJK-së, realizoi sot takim pune me kryetarin e Gjykatës Supreme, z. Fejzullah Hasani.
Me këtë rast, deputeti Zemaj vuri në spikamë se përveç mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, komisioni ka  për synim edhe  krijimin e një raporti të  ri me institucionet e sistemit të drejtësisë, me qëllim  të ndërtimit të një sistemi  të drejtësisë sa më funksional  dhe profesional.
Gjatë takimit u bisedua për sfidat në zbatimin të ligjit  në përgjithësi, si  dhe nevojën për adresimin e problemeve që ka aktualisht sistemi i drejtësisë.
Kryetari i  Gjykatës Supreme Hasani, ndërkaq,  foli  për ndërtimin e mekanizmit të  llogaridhënies, për të cilin vlerësoi se qëllimi i tij nuk duhet të jetë karakteri hakmarrës, por,  rregullimi i  sistemit të drejtësisë në vend. Po ashtu, z. Hasani tha se  kemi  problem në zbatueshmërinë e  ligjeve duke pohuar se, Gjykata  Supreme ka dhënë shumë mendime juridike. Si shqetësim, kryetari Hasani, paraqiti edhe  tej zgjatjen  e procedurave për rekrutim të gjyqtarëve,  duke pohuar se ky proces është duke  shkaktuar ngecje në zgjidhjen e lëndëve. Ai po ashtu ngriti shqetësimin edhe për mungesë të gjyqtarëve dhe stafit profesional.
Në fund të këtij takimi, bashkëbiseduesit u dakorduan  që të avancohet bashkëpunimi institucional në mes Gjykatës Supreme  dhe Kuvendit, si kategori Kushtetuese, me qëllim të avancimit të sistemit të drejtësisë në vend.