Lajmet e fundit
Ministri i Jashtëm, Hoxhaj, raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme
, 05.10.2016
Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës kishte ftuar sot ministrin e Punëve të Jashtëm, Enver Hoxhaj, për të raportuar lidhur me rezultatet e politikës së jashtme të vendit tonë dhe për gjendjen në Ministrinë të cilën e drejton.
Kryetari i Komisionit , Elmi Reçica, i cili e ka drejtuar takimin, e ka falënderuar ministrin  Hoxhaj për përgjigjen tepër të shpejtë  dhe gatishmërinë për të raportuar para Komisionit, e duke ia dhënë fjalën për ekspozenë dhe përgjigje pyetjeve të deputetëve.
Ministri i Jashtëm  Hoxhaj në fillim të fjalës së tij e ka përkufizuar politikën e jashtme si realizim të interesit të vendit,i cili projektohet brenda Kosove  dhe realizohet jashtë saj. Në këtë kontekst ai ka pohuar se është realizuar në pjesën më të madhe programi  qeverisës i ekzekutivit të Kosovës nga viti 2014, në planin e politikës së jashtme, autor i të cilit ka thënë  se ka qenë vetë ai, duke u koordinuar mirë me  përfaqësues të lartë institucional për jetësimin e politikës së jashtme të vendit tonë.
"Kosova  ka marrë 112 njohje, ndërkaq deri në fund të vitit to të njihemi nga tri shtete të tjera", ka theksuar ministri duke u shprehur i bindur se deri  në fund të vitit  do të njihemi edhe nga tri shtete të tjera. Ai ka përmendur faktin e anëtarësimit e Kosovës në shumë mekanizma ndërkombëtarë, duke pohuar ,ndërkaq , se MPJ ka strategji për anëtarësim në OKB dhe rikandidim për anëtarësim në UNESKO.  Duke e shprehur synimin për njohjen e vendit tonë nga dy të tretat e vendeve anëtare të OKB-së (rreth 130 shtete), Hoxhaj e ka quajtur më të lehtë anëtarësimin e Kosovës në mekanizma të shumtë ndërkombëtarë, si në Këshillin e Evropës, Interpol, etj. Ndërkaq duke u përqendruar lobimin e suksesshëm të Kosovës dhe afirmimin e saj ndërkombëtar, Hoxhaj ka theksuar se  gjatë mbajtjes së Asamblesë së OKB-së, ai dhe kryeministri Mustafa kanë realizuar 87 takime me përfaqësues të lartë të vendeve të ndryshme.
Ministri ka folur edhe për agjendën evropiane të Kosovës e cila do të realizohet gjatë vitit të ardhshëm në të gjithë parametrat e saj, ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me vendet e BE-së, ka theksuar se në shumicën e takimeve që ka pasur me faktorë të rëndësishëm evropianë i  janë theksuar dy kushtet që duhet plotësuar Kosova  për liberalizim, por ai në takim e ka përmendur shprehimisht vetëm njërin nga ta: demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Ministri ka shfaqur kënaqësinë që vendi ynë që nga samiti i Varshavës, gjatë kësaj vere ka partneritet me NATO-n.
 Duke folur për Shërbimin diplomatik të Kosovës, Hoxhaj ka theksuar se ai mëtohet të jetë gjeografikisht i gjerë dhe mjaft efikas, por jo i shumtë në numër. Ai, ndërkaq, ka thënë se ndonëse shumica e diplomatëve tanë e kryejnë punën me ndershmëri dhe profesionalizëm, ka pohuar se ka një dorë sish që lënë për të dëshiruar. Ai tutje ka pohuar se në një kohë jo të largët do të akreditohen atashe të  të sigurisë në Britani të Madhe, Francë dhe Itali, ndërkaq ka thënë se  në shumë vende të botës, me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike, do të kemi edhe atashe për çështje ekonomike, për çështje të kulturës etj.
Duke folur për gjendjen në rajon dhe marrëdhëniet me vendet fqinje, Hoxhaj ka spikatur tendencat për destabilizimin e rajonit nga Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe miq të tjerë të tyre, e duke e ilustruar këtë me referendumin në entitetin serb të Bosnjës, ndikimin në procesin zgjedhor në Mal të Zi dhe përzierjet në mënyrë flagrante në çështjet e brendshme të Kosovës. Me këtë rast ai ka folur edhe për arrestimin e komandantit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaqi, duke  përmendur  edhe aktivitetet që ka ndërmarrë ai dhe Qeveria për lirimin e tij.
Kryetari i komisionit Reçica, por edhe anëtarët e tjerë na radhët e pozitës si Teuta Rugova,  Luljeta Veseli Gutaj dhe Blerta Deliu Kodra e Qerim bajrami, e kanë vlerësuar lart punën e ministrit Hoxhaj dhe aktivitetet e MPJ-së, duke i bërë edhe ndonjë pyetje  me aktivitetet e ndërmarra, kurse Ismet Beqiri madje e ka komplimentuar pa ekuivoke: "Jeni nga ministrat e të cilin duhet të mburret Qeveria e Kosovës".
Shumë kritik, ndërkaq,  janë shfaqur anëtarët e Komisionit nga radhët e opozitës, Pal Lekaj dhe Zahir Berisha, i cili e kishte iniciuar ftesën për raportimin e ministrit . Ata kanë pasur shumë vërejtje në  planin e realizimit të politikës së jashtme të vendit tonë, të Shërbimit diplomatik të Kosovës,  eksponentë të të cilit, siç janë shprehurat, nuk e nderojnë por e dëmtojnë prestigjin e Kosovës në sytë  e qytetarëve të vendeve ku janë të detashuar. Kanë shfaqur, ndërkaq brengë për  gjendjen në MPJ, pas konflikteve të bëra publike në këtë ministri, e duke e apostrofuar  letrën  e 32 zyrtarëve të saj , drejtuar Komisionit, e që ka të bëjë me emërimet pa kriter të zyrtarëve të lartë dhe  punësimet pa konkurs  të stafit civil.
Hoxhaj e ka pranuar se ka pasur mosmarrëveshje fizike ndërmjet sekretarit të përgjithshëm  dhe një zyrtari tjetër të ministrisë, por ka pohuar gjithashtu se autorë të letrës janë kryesisht diplomatë  të pakënaqur pse janë kthyer në Kosovë pas përfundimit të mandatit të tyre diplomatik.
Edhe më kritike ndaj punës së ministrit Hoxhaj dhe MPJ-së kanë qenë dy deputetet nga radhët e vetëvendosjes: Donika Kadaaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu,  të cilat nuk janë anëtare të Komisionit, por kishin ardhur në mungesë së koleges së tyre partiake, Puhie Demaku. Ato ia kanë përmendur ministrit se kushti kryesor për liberalizim nuk është demarkacioni me malin e Zi por lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e duke e fajësuar  se ka reaguar me vonesë dhe në mënyrë të mefshtë për arrestimin e Nehat Thaqit nga autoritetet serbe. Ato e kanë pyetur ministrin nëse do të mbetet konsekuent vendimit për moslejimin e  të ashtuquajturit drejtor për Kosovën, Marko Gjuriq.
Ministri është përgjigjur se si ministër i jashtëm u është ruajtur deklaratave të forta mediave, por ka ndërmarrë veprime diplomatike me faktorë rajonal dhe evropianë për lirimin e tij. Lidhur me arrestimin e mundshëm të Gjuriqit, nëse vazhdon të provokojë dhe të mosrespektojë protokollin shtetëror të Kosovës, Hoxhaj është përgjigjur se ai e ka dhënë urdhrin për ndalimhyrjeje të atij personi , ndërsa për arrestim eventual të tij kompetente është gjykata. I pyetur nëse duhet ndërprerë dialogun me Serbinë për shkak të këtyre provokimeve, ministri është përgjigjur se kjo çështje është jashtë mandatit të tij.
Në pyetjet e sublimuara të shumë deputetëve  nëse ai dhe ministria të cilën e udhëheq e kanë arritur maksimumin e punës dhe të suksesit, Hoxhaj ka theksuar se ka pasur mundësi të punohej më shumë dhe më mirë. Ai ka pohuar se nuk ka mundur të besonte se më 2016 Kosova nuk do të ishte anëtare e OKB-së dhe pa ndonjë njohje të re evropiane, e  duke e tërhequr vëmendjen se konteksti ndërkombëtar sot është më i pafavorshëm për vendin ton se ai që ishte në vitin e shpalljes së pavarësisë ( 2008). Në një pyetje tjetër për mundësinë e një lufte të re në Ballkan, siç thonë përfaqësues të opozitës Hoxha është përgjigjur shkurt: "Diplomacia është në mision të paqes".