Lajmet e fundit
Anëtarët e Komisionit për Arsim pritën sot homologët nga Shqipëria
, 17.04.2015
Gjatë realizimit të vizitës zyrtare në Kosovë, delegacioni nëntanëtarësh i Komisionit Parlamentar për Edukim i Shqipërisë, i kryesuar nga Genc Pollo, kryetar këtij komisioni , është pritur sot nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, me ftesët të cilit po realizohet kjo vizitë.
Kryetari i Komisionit për Arsim..., Nait Hasani, duke iu uruar mirëseardhje  anëtarëve të Komisionit Parlamentar  për Edukim  të Kuvendit të  Shqipërisë,  ka vënë në pah rëndësinë e madhe për arsimin dhe kulturën kombëtare që ka bashkëpunimi  në këta lëmenj të jetës, e në këtë mes edhe bashkëpunimi ndërmjet dy komisioneve homologe. Duke parë hapësira të mëdha për këtë bashkëpunim, Hasani ka kërkuar që të  përmbushen marrëveshjet për arsim të arritura ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.
Kryetari i Komisionit Parlamentar  për Edukim i  Shqipërisë,  Genc Pollo, ka lavdëruar marrëveshjet e arritura ndërmjet dy qeverive, duke vlerësuar edhe një traditë të mirë të bashkëpunimit në sferën e arsimit edhe në kohëra shumë më të vështira. Ai është angazhuar për bashkëpunim në planin e  unifikimit të  kurrikulave  mësimore dhe të  tregut të  librit shkollor, në gjithë hapësirën etnike shqiptare, i dobishëm edhe  për diasporën tonë .  Pollo ka përçuar idenë e këmbimit të studentëve dhe të profesorëve  ndërmjet universiteteve të të dy vendeve,  duke  kërkuar që kreditë e fituara gjatë këtij këmbimi të jenë vlefshme për universitetin nga ku kanë ardhur.
Pjesëtarët e të dy delegacioneve kanë sheshuar mundësitë e mëdha të bashkëpunimit në lëmin e arsimit, si dhe pikasur pengesat e kapërcyeshme për t'i arritur objektivat e synuara. Ata  e kanë parë si  nevojë të  ngutshme  përafrimin e  legjislacionit për arsimin fillor, atë parauniversitar  dhe universitar, në të dy vendet, duke vënë në pah sidomos unifikimin e  gjuhës  juridike dhe teknike  në hartimin ligjeve.
Në këtë takim ishte ftuar edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve  për Presheve, Bujanoc dhe Medvegjë, Jonuz Musliu, i cili ka prezantuar gjendjen tepër të rëndë të arsimit shqip në Luginën e Preshevës.  "Nuk na lejohen librat shkollor  nga Kosova; 40 për qind e librave për shkollat fillore  janë përkthyer  keq nga serbishtja, kurse pjesa tjetër mungon fare, ndërkohë  që nuk ekziston asnjë libër për shkollarët e mesëm", ka thënë Musliu, duke kërkuar ndihmë nga Prishtina dhe Tirana për mbijetesën  shkollës shqipe në Luginë të Preshevës, si dhe për mundësimin e nostrifikimit të diplomave  të shkollarëve të atjeshëm, të fituara  në universitetet e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Kryesuesit dhe anëtarët e të dy delegacioneve parlamentare theksuan  se instancat shtetërore dhe arsimore të të dy vendeve do të tregojnë kujdes të  shtuar për mbështetjen e arsimit shqip në Luginë të Preshevës.
Gjatë qëndrimit në Kosovë parlamentarët shqiptarë do të vizitojnë edhe institucione shkollore  dhe shkencore, si dhe objekte të rëndësishme historike të Kosovës.
