Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
, 04.05.2015
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit, kanë shqyrtuar listën e organizatave parlamentare ndërkombëtare, në të cilat Kuvendi i Kosovës synon të anëtarësohet. Ai ka theksuar rëndësinë që ka për Kosovën diplomacia parlamentare e vendit ,e në këtë kontekst edhe anëtarësimin e legjislativit të vendit dhe të mekanizmave të tij në organizata ndërkombëtare që, siç ka theksuar ai, është edhe sugjerim i Parlamentit Evropian.
Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit janë angazhuar për  punë edhe më këmbëngulëse të  Kuvendit dhe të institucioneve të tjera të vendit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ata kanë kërkuar që punonjësit profesional të Kuvendit ta begatojnë  listën e organizatave ndërkombëtare rajonale, evropiane dhe botërore me elemente shtesë, si: mënyra e anëtarësimit ( si akt apo si proces i përmbushjes së standardeve të caktuara), koha e aplikimit dhe veprimet konkrete që duhen ndërmarrë për anëtarësim, si dhe raporti i forcave në ato organizata ndërkombëtare në favor të Kosovës.
 Anëtarët e Komisionit, ndërkaq, kanë  shqyrtuar edhe një shkresë të ministrit të Punëve të Jashtme ( në emër të Qeverisë së Kosovës) lidhur me dy  kandidatë të propozuar për ambasadorë të Kosovës  në  SHBA dhe Japoni, përkatësisht znj. Vlora Çitaku dhe Leon Malazogu.  Komisioni ka vendosur që , konformm ligjit, kandidatët e propozuar për ambasadorë t'i ftojë në dëgjim ( intervistë ) në Komision.
Po në takimin e sotëm  të  Komisionit për Punë të Jashtme është raportuar për vizitën zyrtare të tre anëtarëve të këtij komisioni në  Republikën e Çekisë, si dhe janë  sheshuar  vizita të tjera  në parlamente të ndryshme të botës, si dhe pritje të  delegacioneve të komisioneve homologe parlamentare  në Prishtinë.
 
					