Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
, 03.10.2006
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka përcaktuar rendin e ditës për Seancën plenare të 9 tetorit, në të cilën do të shqyrtohen dhjetë projektligje. Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2003/17 për prokurim publik në Kosovë, ai për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/49 për patentim, Projektligji për transfuzionin e gjakut, kontrollin e gjakut dhe produkteve të tij, ai për Mbrojtjen nga zhurma dhe ai për Pajisjet nën presion.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për trashëgiminë kulturore, ai për Hulumtimet gjeologjike, ai për Shëndetin riprodhues, Projektligji për peshkatari dhe aquakulturë dhe ai për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për naftë dhe derivatet e saj, nr. 2004/5.
Kryesia ka miratuar kërkesën e anëtarit të saj, Xhavit Haliti, për ta radhitur në rend dite të seancës plenare çështjen e sigurisë në vend. Është vendosur që në seancën vijuese, më 19 tetor, për çështjen e sigurisë në vend të raportojnë ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi dhe Komisioneri i policisë, Stephan Curtis.
Është miratuar gjithashtu kërkesa e Grupit Parlamentar të Partisë Reformiste ORA për ta ftuar në interpelancë ministrin e Shëndetësisë z. Sadik Idriz. Për këtë do të njoftohet Qeveria dhe do të procedohet sipas rregullave
Kryesia ka vendosur t’ua shpërndajë deputetëve Raportin e auditimit të jashtëm për Kuvendin e Kosovës, kurse a do të ketë debat për këtë çështje në ndonjë seancë të ardhshme, do të varet nga nëse do të ketë kërkesa të grupeve parlamentare a të deputetëve.
Po në mbledhjen e sotme Kryesia ka shqyrtuar propozimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për buxhetin e Kuvendit të Kosovës për vitin fiskal 2007, si dhe çështjen e shfrytëzimit të mjeteve për investime kapitale për vitin 2006.
Arsyetimin e kërkesave buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2007, e ka dhënë kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani. Vlera e buxhetit e miratuar në parim për Kuvendin e Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë 8.714.684 euro, nga e cila shumë për financimin e partive politike do të ndahen 1.901.783 euro.
Kryesia ka shqyrtuar edhe çështje të tjera të mbarëvajtjes së punëve në Kuvend, si dhe kërkesa të ndryshme të komisioneve, të grupeve parlamentare dhe të deputetëve të veçantë.