Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e ri të Zyrës së Rusisë në Prishtinë, z. Andrej Dronov

, 03.10.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim përgëzimi me shefin e ri të Zyrës së Rusisë në Prishtinë, z. Andrej Dronov. Në fillim z. Andrej Dronov theksoi se është i impresionuar me progresin që është shënuar në Kosovë gjatë katër vjetëve sa nuk ishte në Kosovë. Duke folur për proceset aktuale që po zhvillohen në Kosovë, ai tha se përkrahim idenë që statusi i Kosovës të zgjidhet sa më shpejt, i cili duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë. Të gjitha partitë dhe institucionet e Kosovës kanë dënuar dhunën e fundit në Kosovë. Kjo është shenjë e pjekurisë së institucioneve të Kosovës. Si unë, ashtu edhe në nivel zyrtar të shtetit tim, tha më tutje Dronov, vlerësojmë se është gabim mospjesëmarrja e serbëve në institucionet legjitime të Kosovës. Jemi duke u angazhuar me aleatët perëndimorë që serbët të kthehen në institucione. Ndërkaq , përkitazi me çështjen e globalizimit ekonomik, z. Dronov shprehu mendimin se do të gjendet hapësirë që edhe Rusia të investojë në Kosovë.

Kryeparlamentari Berisha gjatë takimit theksoi se Kosova është rast i veçantë. Ajo tashmë ka marrë rrugën e vet të zgjidhjes së statusit final, që do të jetë pavarësia . Në këtë vështrim ai kërkoi edhe ndihmën e Rusisë në zgjidhjen e statusit final. Kosova e pavarur, tha në vijim kreu i legjislativit do te jetë vend i të gjithë qytetarëve , pra edhe i minoriteteve. Në këtë frymë të gjitha problemet që ka Kosova do t’ i zgjidhim në institucione, ndaj serbët duhet të kthehen në institucione, sepse kjo është në të mirën e tyre Jemi duke dëshmuar respektimin e të drejtave të minoriteteve, ndërsa këtë e dëshmon edhe Ligji mbi gjuhët. Gjuha serbe, në mjediset ku serbët përbëjnë 5 për qind të popullsisë, është e barabartë me gjuhën shqipe, e dihet se shqiptarët përbëjnë 90 për qind të popullsisë në Kosovë, u shpreh Berisha.

Kryeparlamentari Berisha priti  shefin e ri të Zyrës së Rusisë në Prishtinë, z. Andrej Dronov