Lajmet e fundit

Debat publik mbi Projektligjin për Parqet Kombëtare

, 03.10.2006




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Ambient dhe Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, që e kryesoi z. Rifat Krasniq, kryetar i Komisionit, mbajti sot një debat publik lidhur me Projektligjin për parqet kombëtare, që, para dy muajsh, u miratua në parim nga Kuvendi i Kosovës, në seancën e tij të rregullt.

Në debatin në fjalë, përveç anëtarëve të Komisionit të theksuar, mori pjesë edhe ministri për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, z. Ardian Gjini, si dhe përfaqësuesit nga po kjo ministri (si sponsor të projektligjit të theksuar), përfaqësuesit nga Ministria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim rural, përfaqësuesit e drejtorive komunale për ambient dhe planifikim hapësinor dhe ata për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural.

Duke diskutuar për këtë projektligj, ndër të tjera, u tha që tani për tani në Kosovë ekziston vetëm një park nacional, Parku Nacional i Sharrit, që shtrihet në një sipërfaqe të gjithmbarshme prej 39.000 hektarësh, ndërsa sipas Projektligjit të ri, si park i dytë nacional, është parashikuar të jenë Bjeshkët e Nemuna, që shtrihen në një sipërfaqe të përgjithshme prej 62.488 hektarësh. Parku Nacional i Bjeshkëve të Nemuna shtrihet në katër komuna (Pejë, Deçan, Gjakovë dhe Istog) dhe të gjitha këto komuna kanë dhënë pëlqimin që në territoret e tyre të përfshihet parku i theksuar nacional. Parku Nacional Bjeshkët e Nemuna, përveç ruajtjes së bukurive natyrore do të ndihmojë, gjithashtu, edhe parandalimin e keqbërësve – prerësve të pyjeve, të ndërtimeve pa leje, si të objekteve private, ashtu edhe të atyre ekonomike etj. Me këtë park do të përfitohet në aspektin e rregullimit me plan të mjedisit, të zhvillimit të resurseve turistike dhe ekonomike, një punësim më i lartë i popullatës vendore etj.
Debat publik mbi Projektligjin për Parqet Kombëtare