Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti zëvendëskryeadministratorin Stiven Shuk

, 04.10.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kolë Berisha ka pritur sot zëvendëskryeadministratorin Stiven Shuk dhe ka biseduar me te për vazhdimin e procesit negociator për përcaktimin e statusit të Kosovës.

Kreu i legjislativit të vendit ka theksuar përkushtimin i institucioneve për t’i zgjidhur problemet dhe përfunduar me sukses procesin negociator për statusin, “natyrisht me ndihmën e miqve tanë, në radhë të parë ata amerikanë”, ka thënë Berisha.

Duke folur për punën që po bëhet për plotësimin e standardeve, kryeparlamentari Berisha e ka njoftuar zëvendësshefin e UNMIK-ut se në seancën e ardhshme, më 9 tetor, Kuvendi do ta miratojë Ligjin për Trashëgiminë kulturore. Berisha, ndërkaq, ka tërhequr vëmendjen se deklaratat për mundësinë e shtyrjes së statusit të Kosovës, ngado që vijnë, nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemit, përkundrazi.

Zëvendësi i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, z. Stiven Shuk, ka vlerësuar punën e institucioneve të Kosovës për plotësimin e standardeve, që nga publikimi i Raportit të Kai Eides, këtu e një vit më parë. Ai ka vlerësuar angazhimin e Grupit Negociator të Kosovës për përcaktimin e statusit të vendit dhe ka lavdëruar punën që po bëjnë anëtarët e këtij grupi në terren për t’i sqaruar qytetarët për procesin negociator. Shuk ka inkurajuar takimet e tilla me qytetarë dhe vazhdimin e bisedimeve për çështjet teknike, në mënyrë që zgjidhja e çështjes së statusit të përfundojë sa më shpejt. Në këtë vështrim ai ka pohuar se UNMIK-u mbështet plotësisht qëndrimin e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe ka premtuar ndihmën për mbarëvajtjen e procesit negociator.

Kryeparlamentari Berisha priti zëvendëskryeadministratorin Stiven Shuk