Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa
, 04.10.2006
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, shqyrtoi sot Raportin e të gjeturave faktike në Kuvendin e Kosovës, i kryer nga Zyra e Revizorit Gjeneral. Në fjalën hyrëse që mbajti Naser Osmani theksoi se duke u bazuar në autorizimet që dalin nga Korniza Kushtetuese e Kosovës, pika 9.1.10, Komisioni për Buxhet dhe Financa ka kompetenca të përgjithshme mbi çështjet buxhetore dhe financiare, si dhe autorizimeve që dalin nga Rregullorja e Punës së Kuvendit, rregulla 51.3, ky komision ka përgjegjësi përveç tjerash edhe kontrollin e raporteve të revizionit që kanë të bëjnë me punën e Kuvendit, të Kryetarit , të Qeverisë, të ministrive ose me aktivitete tjera të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes, të mbështetura drejtpërsëdrejti ose tërthorazi nga buxheti i konsoliduar i Kosovës, Komisioni sot do ta shqyrtojë Raportin e të gjeturave faktike në Kuvendin e Kosovës të datës 3 korrik 2006.
Meqenëse procedurat që janë kryer nuk përmbajnë auditimin dhe si të tilla nuk përmbajnë as opinionin e auditimit , ne presim që zyra e Revizionit Gjeneral të finalizojë procesin e auditimit me pasqyrat financiare të Kuvendit për vitin 2005, ku do të kemi edhe opinionet e kualifikuara. Por, në mungesë të kësaj, tani Komisioni për Buxhet dhe Financa, do ta shqyrtojë Raportin në fjalë duke i rekomanduar Kryesisë përfundimet e veta, por që nuk do të prejudikojnë rezultatin e hetimeve, sepse një gjë të tillë duhet ta bëjnë organet kompetente të Prokurorisë Publike.
Ne si Komision për Buxhet dhe Financa, theksoi në vijim Naser Osmani, qysh në fillim të kësaj mbledhjeje do të kërkojmë transparencë maksimale duke i informuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për përmbajtjen e Raportit të të gjeturave faktike.
Pas debatit Komisioni nxori këto rekomandime:
Kryesia e Kuvendit t’ i drejtohet PSSP-së dhe Zyrës së Revizorit Gjeneral, që sipas Rregullores 2002/ 18 neni 3 pika b dhe f , t’ ia dërgojë Kuvendit raportet e auditimit të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse;
Raporti i Zyrës së Revizorit Gjeneral mbi të gjeturat faktike të Kuvendit të Kosovës të jetë transparent për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës;
Kuvendi, administrata e Kuvendit të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme konform Ligjit mbi shërbyesit civil.