Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion 8-anëtarësh, të kryesuar nga Otto von Habsburg

, 05.10.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, u takua sot me një delegacion 8-anëtarësh, të kryesuar nga Otto von Habsburg, pinjoll i dinastisë së Habsburgve dhe anëtar shumë shumë vjeçar i Parlamentit Evropian . Në këtë takim merrnin pjesë edhe anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, si: prof. dr. Sabri Hamiti, Xhavit Haliti, Naim Maloku dhe Mahir Jagxhillar. Kryeparlamentari Berisha duke iu drejtuar me fjalë të zgjedhura z. Otto von Habsburg, theksoi se çdo takim me ju shoqërohet nga një kënaqësi e veçantë. ”Ju keni dhënë kontribut të veçantë në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar e po kalon Kosova, jeni treguar gjithnjë një avokat i palodhshëm i Kosovës, i demokracisë dhe i integrimeve të saj në suaza evropiane. Ishi mik i madh i Presidentit të ndjerë Rugova, i cili kishte respekt të madh për ju”, u shpreh Berisha.

Në vijim kreu i legjislativit të vendit foli lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Parlamentin e vendit,,duke u ndalur sidomos në punën që bëhen në fushën e miratimit të ligjeve sipas standardeve evropiane. Parlamenti i Kosovës, tha Berisha, tashmë ka arritur rezultatet të rëndësishme në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare të punës së Qeverisë duke krijuar një mekanizëm llogaridhënës.

Në bisedimet e Vjenës Kosova po luan një rol konstruktiv e kooperues. Krijimi i shtetit të Kosovës nuk do të jetë kërcënim për askënd Kosova e pavarur do të jetë element stabiliteti në rajon. Në këtë frymë ajo angazhohet për marrëdhënie të mira fqinjësorë me të gjitha shtetet e Ballkanit, pra edhe më Serbinë.

Në fillim të fjalës së tij Otto von Habsburg shprehu admirimin e tij për personalitetin e Presidentit Rugova. Isha i impresionuar me madhështinë e mendimit të Rugovës, tha Habsburg, ai ishte i përkushtuar për kombin e tij , por edhe për të gjithë qytetarët tjerë që jetojnë në Kosovë. Kosova ka bërë punë të madhe sa i përket pozitës së minoriteteve. Ju po përpiqeni të krijoni diçka të shëndoshë, ndaj si të tillë do të keni vend në tavolinën e demokratëve. Kësaj rruge ju do të keni një mision të rëndësishëm duke dalë si shtet i pavarur në Evropë. Duke ndërtuar marrëdhënie të mira me komunitetet ju keni rast të vlerësoheni si një shembull shumë i mirë në Rajon dhe Evropë. Në këtë frymë ai u shpreh në mënyrë figurative se nuk është e mirë muzika me një instrument, por ajo që orkestrohet me shumë instrumente. Keni fillim të mbarë, keni udhëheqje të mirë. Pra, të angazhohemi që të jetojmë të gjithë të lirë, sepse kjo është e rëndësishme për të ardhmen. T’ i përkushtoheni formimit të shtetit ligjor, tha Habsburg.

Xhavit Haliti tha se në Kosovë nuk ka islamizëm ekstrem , nuk ka nacionalizëm ekstrem, ekzistojnë disa probleme të veçanta, dobësi, të cilat kemi obligim t’ i luftojmë me të gjitha mjetet. Kosova evropiane, tha në vijim Haliti, do të ndihmojë shumë në relaksimin e rrjedhave në Ballkan, si dhe në të ardhmen e tij të lumtur.

Sabri Hamiti tha se gjendemi para një momenti vendimtar- pavarësisë së Kosovës, ndaj kemi shumë nevojë për ndihmën tuaj që e karakterizon dija e madhe,autoriteti dhe nderi. Kosova ka investuar dhe ka sakrifikuar shumë që statusi i saj të përfundojë brenda vitit 2006, shih për këtë shtyrja eventuale e përcaktimit të statusit nuk është punë e vogël. Serbia si me çështjen e zgjedhjeve , ashtu edhe me kushtetutën, në preambulën e së cilës e përcakton Kosovën si pjesë të saj, bën përpjekje të orkestruara me anë të një kalendari paralel që të ndikojë në procesin negociator që udhëhiqet nga ana e kryenegociatorit Ahtisari. Në të gjitha këto bashkësia ndërkombëtare dhe posaçërisht SHBA- të duhet të shohin se nuk është fjala për interesimin e Serbisë për pozitën e serbëve në Kosovë, por ajo është e interesuar për tokën e Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion 8-anëtarësh, të kryesuar nga Otto von Habsburg