Lajmet e fundit
Udhëheqja e Kuvendit priti një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s
, 05.10.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, bashkë me përfaqësues të grupeve parlamentare, ka pritur sot një delegacion 20 anëtarësh të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Karl Lambers, me të cilin është biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe për procesin negociator për zgjidhjen e statusit të vendit.
Kryeparlamentari Berisha fillimisht ka falënderuar NATO-n dhe vendet anëtare të saj për gjithçka që kanë bërë për Kosovën dhe popullin e saj, kurse ka shprehur konsiderata për forcat e KFOR-it, të cilat me praninë dhe aktivitetin e tyre ndikojnë pozitivisht në qetësinë dhe stabilitetin në Kosovë, por edhe në rajon. Ai pastaj ka folur gjerësish për punën e institucioneve të Kosovës për përparimin dhe demokratizimin e vendit, duke u përqendruar sidomos për punën që është bërë për plotësimin e standardeve dhe krijimin e kushteve për jetë të minoriteteve.
Duke folur rreth bisedimeve për përcaktimin e statusit, Berisha ka përvijuar qëndrimin e palëkundur të Grupit Negociator të Kosovës për pavarësinë e vendit.
Parlamentarët e NATO-s, të cilët janë në mision të mbledhjes së fakteve për Kosovën, kanë vlerësuar progresin e arritur në vend dhe i kanë dhënë mbështetje procesit paqësor në Kosovë.
Kryesuesi i delegacionit parlamentar të NATO-s, Karl Lambers, progresin e arritur e ka quajtur sinjifikativ dhe ka shtuar se Kosova e qetë dhe stabile është faktor stabiliteti në gjithë rajonin. Ai është shprehur se duhet punuar për krijimin e një shoqërie shumetnik dhe ka çmuar përkushtimin e palës kosovare për këtë çështje.
Parlamentarët e NATO-s kanë theksuar se të gjitha palët duhet të punojnë në përgatitjen e popullatës për të pranuar zgjidhjen për statusin që do ta propozojë krenegociatori Ahtisari, të cilën e mbështesin plotësisht.
Gati të gjithë parlamentarët e Kosovës që e kanë marrë fjalën në këtë takim, kanë këmbëngulur që zgjidhja e statusit të përfundojë brenda këtij viti.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, duke komentuar mundësitë e shtyrjes së zgjidhjes së statusit, për shkak të zgjedhjeve në Serbi, ka pohuar se pikërisht shtyrja e përcaktimit të statusit do t’i forcojë radikalët dhe socialistët e Millosheviqit. Nekibe Kelmendi dhe Gazmend Muhaxheri kanë pohuar se regjimi i Beogradit do të krijojë edhe pretekste të tjera që ta zvarrisë zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kryeparlamentari Berisha, ndërkaq, ka thënë prerë se shqiptarët e Kosovës janë të gatshëm të jetojnë bashkë me serbët e Kosovës, por kurrë më me Beogradin, pos si fqinjë.
Nga përfaqësuesit e minoriteteve, derisa Mahir Yagcilar, është shprehur i kënaqur me integrimin e minoritetit turk dhe boshnjak në Kosovë, duke lavdëruar zbatimin e gjuhëve të tyre në institucione, në administratë dhe arsim, Numan Baliq ka kërkuar garanci për jetë, punë dhe zhvillim të boshnjakëve dhe goranëve, duke pohuar se kësisoj do të mbështesnin zgjidhjen të cilën dëshiron shumica e popullsisë së Kosovës. Rangjel Nojikq, ndërkaq, ka kritikuar institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare për projeksionet e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
Parlamentarët e Kosovës në takimin me parlamentarët e NATO-s, të cilin e kanë vlerësuar të rëndësishëm dhe të dobishëm, kanë ofruar argumente për kornizën ligjore dhe të drejtat e garantuara për minoritetet në Kosovë dhe për përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.