Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti drejtorin e NDI-së në Bruksel, Leo H. A. Spaans
, 09.10.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot drejtorin e përgjithshëm të Zyrës së Institutit Nacional Demokratik (NDI) në Bruksel, Leo H. A. Spaans, me të cilin ka biseduar për thellimin mëtejmë të bashkëpunimit, me theks të veçantë asistencën specifike që NDI-ja mund t’i japë në të ardhmen Kuvendit të Kosovës.
Drejtori i NDI-së, Leo H. A. Spaans, ka vlerësuar lart përpjekjet për ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë dhe ka shprehur kënaqësi se kjo ka ndodhur edhe falë ndihmës të NDI-së. Ai ka shprehur gatishmërinë e Institutit Nacional Demokratik që të mbështesë bashkëpunimin ndërkombëtar të Kuvendit të Kosovës me parlamentet e rajonit, e në këtë kuadër edhe të komisioneve parlamentare. Si fushë tjetër të bashkëpunimit të Kuvendit të Kosovës, të cilin do ta mbështeste NDI-ja, Spaans ka përmendur Këshillin e Evropës dhe parlamentet e vendeve anëtare të këtij asociacioni, si dhe përgatitjen e vizitave, caktimin e agjendave etj.
Kryeparlamentsari Berisha duke falënderuar për gatishmërinë e NDI-së për bashkëpunim me legjislativin e Kosovës, ka theksuar se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për partneritet të tillë. Ai pastaj ka folur për punën që po bën Kuvendi dhe për reformat demokratike që janë ndërmarrë, kurse ka përvijuar edhe synimet për të ardhmen që konsistojnë arritjen e përvojave parlamentare të vendeve demokratike.