Lajmet e fundit
Nga punimet e Seancës Plenare të Kuvendit të Kosovës
, 09.10.2006
Fillimi i Seancës së sotme Plenare të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ishte rezervuar për pyetjet parlamentare të deputetëve për Qeverinë e Kosovës, të cilave u janë përgjigjur ministrat Jonuz Salihu dhe Ardian Gjini.
Më pastaj deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për trashëgiminë kulturore, që vlerësohet standard për Kosovën, kurse kanë shqyrtuar për herë të parë pesë projektligje të tjera: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/17 “Për prokurim publik në Kosovë”, atë për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/49 “Për patentim”, atë për Tansfuzionin e gjakut, kontrollin e gjakut dhe të produkteve të tij, Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma dhe atë për Pajisjet nën presion.
Nesër, ndërkaq, kanë mbetur të shqyrtohen për herë të dytë: Projektligji për hulumtimet gjeologjike, ai për Shëndetin riprodhues, ai për Peshkatari dhe aquaculturë, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit – nr. 2004/5 “Për naftë dhe derivatet e saj”.