Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha takoi kryetarin e rajonit të Lombardisë, Fornigoni
, 11.10.2006
Në kuadër të vizitës zyrtare që po e bën në Itali, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, takimin e parë e ka realizuar sot me kryetarin e rajonit të Lombardisë, Alberto Fornigoni. Në këtë takim kryeparlamentari Berisha ka prezantuar gjendjen aktuale në Kosovë, me theks të veçantë procesin e përcaktimit të statusit. Ai e ka njoftuar nikoqirin për punën e bërë dhe për rezultatet që kanë shënuar institucionet e Kosovës në përmbushjen e standardeve.
Të mos shtyhet zgjidhja e statusit të Kosovës
Duke kërkuar që të mos shtyhet zgjidhja e statusit të Kosovës, Berisha në këtë takim ka paraqitur edhe zhgënjimin që është krijuar në Kosovë pas disa prononcimeve e deklaratave për shtyrjen eventuale të statusit të Kosovës, duke e bërë të qartë se institucionet dhe qytetarët e Kosovës janë të vendosur që çështja e statusit të definohet brenda afateve të përmendura nga Grupi i Kontaktit.
Për bashkëpunimin ekonomik
Për faktin se Lombardia është rajoni më i zhvilluar e Italisë, pjesa më e madhe e bisedës i është kushtuar bashkëpunimit ekonomik, përkatësisht nxitjes së investimeve të kompanive të njohura të kësaj zone në ekonominë e Kosovës. Kryeparlamentari Berisha ka theksuar se gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale në Kosovë, është pasojë edhe e mosdefinimit të statusit të Kosovës.
Gatishmëri për investime në Kosovë, pas statusit
Kryetari i rajonit të Lombardisë, Alberto Fornigoni, në takim me kreun e legjislativit të Kosovës ka shprehur respektin e palës italiane për përkushtimin në Kosovë në përmbushjen e standardeve dhe ka shfaqur gatishmëri për investime në Kosovë, në periudhën e passtatusit.
Kryeparlamentari Berisha, ndërkaq, ka pohuar se përcaktimi i statusit do të ishte hap vendimtar për të zhbllokuar këtë statusquo, duke mundësuar kësi soji praninë edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare në Kosovë, që do të ishte në interes të zhvillimit të Kosovës dhe të stabilitetit të rajonit.
Italia të angazhohet në procesin e statusit
Berisha ka kërkuar që Italia të angazhohet edhe më shumë në procesin e statusit të Kosovës. Bashkëbiseduesit të tij italian i ka thënë se vullnet i shumicës së kosovarëve është që statusi i vendit të jetë pavarësia. Kosova, ka theksuar Berisha, nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt, ndaj Kosova e pavarur do të jetë interes edhe për minoritetet.
Disa intervista për gjendjen në Kosovë
Kryeparlamentari Berisha gjatë qëndrimit në Milano ka dhënë intervista për disa media lokale dhe qendrore, në të cilat ka shpjeguar gjendjen aktuale në Kosovë dhe aspiratat e mëtejme të zhvillimit.
Në orët e mbrëmjes është planifikuar një takim i zotit Berisha me komunitetin shqiptar në qytezën Leko, ndërsa pasnesër, më 13 tetor, do të takohet në Vatikan me sekretarin e shtetit, Tarcisio Bertone, dhe me disa zyrtarë të tjerë të Vatikanit.