Lajmet e fundit
Nga vizita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kolë Berisha, në Itali
, 13.10.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kolë Berisha, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Itali, u takua sot me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Eminencën e Tij, Tarcisio Bertone. Në këtë takim të rëndësishëm, kryeparlamentari Berisha shtroi çështjen e statusit të Kosovës, gjegjësisht gjendjen në të cilën po kalon Kosova në këto momente vendimtare për të. Kryeparlamentari Berisha e informoi sekretarin e Shtetit të Vatikanit për realizimin e pjesës më të madhe të standardeve për Kosovën, të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit.
Në cilësinë e anëtarit të Grupit Negociator të Kosovës, z. Kolë Berisha, e informoi mikpritësin e lartë të Selisë së Shenjtë për konstruktivitetin e palës kosovare në dialog me bashkësinë ndërkombëtare në takimet e Vjenës, për moslëvizjen e palës serbe nga pozicioni gjatë tërë procesit të bisedimeve dhe për mirëkuptimin që ka pasur dhe që ka grupi i Ahtisarit për konstruktivitetin e palës kosovare në procesin e deritashëm të negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Kryeparlamentari Berisha e informoi sekretarin e Shtetit të Vatikanit për garancitë që ofrojnë institucionet e Kosovës për serbët e Kosovës dhe për pakicat e tjera që jetojnë në Kosovë, por edhe e njoftoi atë për situatën e sigurisë në Kosovë, e cila tash është shumë më e mirë se përpara për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.
Z. Kolë Berisha kërkoi në këtë takim mbështetjen e Selisë së Shenjtë që statusi i Kosovës të vendoset këtë vit dhe të respektohet vullneti i popullit shumicë të Kosovës, duke mos e dëmtuar pozitën e serbëve të Kosovës e as të pakicave të tjera që jetojnë në Kosovë. “Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të Kosovës, shtet laik, por që lejon të drejtën e besimit të çdo qytetari në konfesionin e vet”, e garantoi kryeparlamentari Berisha nikoqirin e lartë në Selinë e Shenjtë.
Kryeparlamentari Berisha, pas takimit me Eminencën e Tij, Tarcisio Bertone, tha: “Kemi dhënë informata të bollshme për gjendjen në Kosovë, për zhvillimet aktuale dhe për synimet tona të mëtejshme. Hasëm në mirëkuptim për kërkesat tona”.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Tarcisio Bertone, falënderoi kryeparlamentarin Berisha për vizitën e tij në Selinë e Shenjtë dhe e siguroi z. Berisha se Vatikani përcjell me kujdes zhvillimet në Kosovë.
Eminenca e Tij, Tarcisio Bertone, përshëndeti plotësimin e shumicës së standardeve të Grupit të Kontaktit për Kosovën si dhe konstruktivitetin e palës kosovare në procesin e deritashëm të zgjidhjes së statusit të Kosovës.
Selia e Shenjtë mbështet një zgjidhje paqësore për Kosovën.