Lajmet e fundit

Tryezë e rrumbullakët lidhur me pengimin e pastrimit të parave

, 16.10.2006




Në ambientet e Kuvendit të Kosovës sot u mbajt një tryezë e rrumbullakët lidhur me pengimin e pastrimit të parave dhe veprave penale që ndërlidhen me të, organizuar nga Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa , Qendra Informative Financiare e UNMIK-ut dhe Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Debati është organizuar në shenjë të përgatitjeve për fillimin e amendamentimit të Projektligjit për parandalimin e pastrimit të parave , i cili tashmë është aprovuar në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës. Në këtë frymë, qëllim parësor i tryezës ishte diskutimi e njohja me praktikat më të avancuara ndërkombëtare për parandalimin e shpëlarjes së parave. Në këtë takim merrnin pjesë edhe znjsh. Linda Samuel, zëvendës shefe e Seksionit për Konfiskimin e Pasurisë dhe Shpëlarjen e Parave në Divizionin e Kriminalistikës të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, drejtori i Qendrës Informative Financiare , Kevin Stephenson dhe këshilltarja juridike e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Sarah Lum, të cilët dhanë një ndihmesë të madhe në shqyrtimin e kësaj teme, duke përvijuar përvoja të çmueshme të luftimit të pastrimit të parave, si në aspektin ligjor , ashtu edhe në praktikë, posaçërisht duke u mbështetur në përvojat amerikane në këtë segment. Në këtë vështrim u tha se edhe Kosova, ku pastrimi i parave përbën një praktikë të re, ka nevojë për një ligj të fuqishëm , me anë të të cilit do të hetohej , parandalohej e luftohej çdo veprim kriminal në lëmin e pastrimit të parave. Pastrimi i parave është një materie komplekse, me dimensione globale, ndaj për luftimin e tij duhet të angazhohen një vistër e gjerë institucionesh.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, me këtë rast tha se rrezikut nga përfshirja në procesin e pastrimit të parave i nënshtrohen të gjitha segmentet e shoqërisë, përfshirë këtu bizneset, qofshin ato të vogla, të mesme apo edhe multinacionale , mediat, administrata, gjykatat, policia, si dhe vetë politika. Nga kjo del se luftimi i pastrimit të parave është problem i çdo shoqërie, pra edhe i shoqërisë kosovare.

Dihet mirë se Kosova është në rrugë e sipër që në të ardhmen e afërt të pranohet si shtet i pavarur dhe me këtë të bëhet anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare. Me çdo kusht nuk duhet lejuar që Kosova të bëhet një vend i përshtatshëm për pastrimin e parave. Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që në hapat e parë të shtetit të sapoformuar Kosova të dështojë në përmbushjen e detyrimeve që i ka si anëtare e bashkësisë ndërkombëtare dhe të krijohet përshtypja se Kosova nuk mund të jetë partner i besueshëm në luftën e botës së civilizuar kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Përveç kësaj, nuk mund të lejohet, që paratë e ndyta të kenë ndikim në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.Sepse ky, jo vetëm që do të ishte një zhvillim jetëshkurtër, por që në fillim themelet juridike dhe morale të shtetit dhe të shoqërisë kosovare do të tronditeshin, ndoshta edhe në përmasa të pariparueshme.

Në vijim Naser Osmani tha se luftën kundër pastrimit të parave duhet ta udhëheqin institucionet vendore të Kosovës, gjë që konkretisht duhet të rezultojë në kalimin e Qendrës për Hetime Financiare, që tani vepron në kuadër të UNMIK-ut, nën përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës.

Duke folur rreth faktit se në kuadër të cilës ministri , ose institucioni tjetër të vendit, do të vepronte njësia, ose Shërbimi për luftimin e pastrimit të parave, diskutuesit ishin unik në konstatimin se gjëja kryesore në këtë aspekt do të ishte që, si nga ana ligjore, ashtu edhe nga ana praktike, të gjenden zgjidhje që do të ofronin pavarësi të plote të punës së këtij shërbimi, pra jashtë çdo ndikimi, sepse nëse veprohet ndryshe, atëherë nuk do të ketë asgjë në betejën e luftimit të pastrimit të parave.

Tryezë e  rrumbullakët lidhur me pengimin e pastrimit të parave