Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 16.10.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka përcaktuar rendin e ditës për Seancën plenare të 19 tetorit, në të cilën si pikë e parë është paraparë të debatohet për gjendjen e sigurisë në Kosovë, të cilit do t’i paraprijë raportimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi dhe i Komisionerit të policisë, Stephan Curtis, (sipas kërkesës së anëtarit të Kryesisë, Xhavit Haliti). Për të njëjtën seancë do të paraqitet në interpelancë ministri i Shëndetësisë, Sadik Idriz (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Reformiste ORA), kurse deputetët do ta shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për tatimin në vlerën e shtuar në Kosovë.

Në mbledhjen e sotme Kryesia i ka dhënë dritën e gjelbër propozimvendimit për formimin e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, ndërsa për emrat e personave që do të punojnë në këtë projekt do të vendoset më vonë, pas konsultimeve të nevojshme me grupet parlamentare dhe mekanizmat e tjerë të interesuar.

Shumica e anëtarëve të Kryesisë janë pajtuar me rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me raportin e Zyrës së Auditorit Gjeneral për të gjeturat faktike në Kuvendin e Kosovës, kurse me kërkesë të ORA-s çështja e keqpërdorimeve dhe të keqmenaxhimit të Buxhetit të Kuvendit të Kosovës do të shtrohet për debat në seancën vijuese ( më 26 tetor). Kryesia, ndërkaq ka marrë vendim që ta rifillojë ekspertizën për rregullsinë dhe vlerën e ndërtimeve në Qendrën administrative-protokollare në Gërmi, sepse eksperti i zgjedhur për të bërë ekspertizën ka hequr dorë nga detyra e marrë, me arsyetimin se nuk ka gjetur dokumentacionin për të bërë vlerësimin real të gjendjes.

Kërkesa e shtatë deputetëve për inicimin e procedurës për shpalljen e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, nga Kryesia është vlerësuar e parakohshme dhe politikisht joadapte për momentin. Është thënë se Kryesia e Kuvendit nuk ka të drejtë të shpallë dhe të organizojë referendume, se Kosova nuk ka ligj për çështje të tilla dhe se nuk është bërë as regjistrimi i popullsisë.

Kryesia ka vendosur që Raporti për shpenzimet buxhetore për tremujorin e tretë të vitit 2006 të Kuvendit të Kosovës dhe Propozimrregullorja për përdorimin e automjeteve të Kuvendit, të shqyrtohen në ndonjë seancë tjetër.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës