Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 19.10.2006
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën plenare të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka miratuar një deklaratë me të cilën dënohet vënia e Kosovës në preambulën e Kushtetutës së ardhshme të Serbisë, si dhe organizimi i referendumit në territorin e Kosovës. Deklarata ishte propozuar nga grupi Parlamentar i PDK-së dhe ishte mbështetur nga të gjitha grupet parlamentare. Deputetët, ndërkaq, nuk kanë votuar për kërkesën e parashtruar të shtatë deputetëve për inicimin e Referendumit për Pavarësinë e Kosovës, e cila kërkesë nuk kishte kaluar as në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Shefat e grupeve parlamentare janë shprehur se deputetët dhe qytetarët e Kosovës janë deklaruar për pavarësinë e vendit, se ndodhemi në proces të realizimit të këtij synimi, në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë dhe se çështja e referendumit është mjeti i fundit që mund të përdoret në një moment të përshtatshëm.
Në seancën e sotme deputetët kanë debatuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, pasi që kanë dëgjuar raportin e ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi, për gjendjen e sigurisë dhe masat që janë ndërmarrë për luftimin e krimit si dhe shtimin e sigurisë dhe të qëndrueshmërisë në vend.
Në fillim të seancës ministri i Komunikacionit, Ahmeti dhe ai i Arsimit, Veliu u janë përgjigjur pyetjeve të deputetëve për Qeverinë e Kosovës
Nesër, duke filluar në orën 10 seanca do të vazhdojë punimet me interpelancën e ministrit të Shëndetësisë, Sadik Idriz, për gjendjen në shëndetësinë e Kosovës.
Deputetët, ndërkaq do të shqyrtojnë për herë të parë Projektligjin për tatimin në vlerën e shtuar në Kosovë.