Lajmet e fundit

Nga takimi me gazetarë i shefit të Grupit Parlamentar te LDK-së

, 24.10.2006




Kryetari i Grupit Parlamentar te LDK-së, prof. dr. Alush Gashi, duke iu përgjigjur interesimeve, jo vetëm të gazetarëve, për Projektligjin për tatimin në vlerën e shtuar (të shqyrtuar për herë të parë në seancën e kaluar plenare të Kuvendit të Kosovës), ka mbajtur sot një konferencë shtypi, në të cilin ka sqaruar qëndrimin e grupit të tij parlamentar për këtë projektligj.

Për amandamentimin e Projektligjit për TVSH-në

Grupi Parlamentar i LDK-së e ka shqyrtuar me shumë kujdes dhe i ka dhënë mbështetje në parim projektligjit në fjalë, ka thënë Gashi, i cili ka pohuar se do ta mirëpriste një projektligj të hartuar edhe më mirë se sa këtë që gjendet në procedurë parlamentare. Ai ka deklaruar se do të punohet me përkushtim për amandamentimin e Projektligjit për TVSH-në dhe se do të organizohen dëgjime publike, para se ligji të miratohet.

Zero TVSH për shtypin, librin shkollor dhe OJQ-të

Gashi ka theksuar se Grupi Parlamentar i LDK-së angazhohet që TVSH-ja në Kosovë te jetë sipas rekomandimeve te Komisionit Evropian, çdo herë ku është e mundshme. Duke konstatuar se Kosova duhet të jetë në trend me vendet tjera dhe me rekomandimet e Komisionit Evropian, Gashi ka këmbëngulur që për shtypin, librin shkollor dhe OJQ-të, norma e TVSH-së të jetë zero.

Letër ekologjike për shtypin

Ai ua ka përkujtuar gazetarëve se shtetet e Evropës Qendrore e kanë normën zero të TVSH-së për shtyp, sikurse e kanë edhe Shqipëria, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina etj. Ndërkaq, ka tërhequr vërejtjen se për shtyp duhet të përdoret letra ekologjike, ashtu siç veprojnë vendet e Unionit Evropian.

Ta ndihmojmë fjalën e lirë

“Duhet të gjejmë një zgjidhje si ta ndihmojmë fjalën e lirë dhe lirinë e shtypit, i cili është më i miri në rajon”, ka pohuar Gashi, i cili është shprehur se duhet parë edhe pozitën e privilegjuar të Radiotelevizionit të Kosovës, si medium publik, në raport me mediumet e tjera elektronike private.

Të krijohet mekanizmi i kontrollit

Shefi i GP të LDK-së është angazhuar që norma zero e TVSH-së të aplikohet edhe për librin, e ne veçanti për librin shkollor, si dhe për OJQ- të, me kërkesën e theksuar që të krijohet mekanizmi i kontrollit të evitimit të keqpërdorimit eventual të këtij privilegji.

Gashi është shprehur se pret interesim të shtuar nga komuniteti i biznesit për Projektligjin për TVSH-në.

Nga takimi me gazetarë i shefit të Grupit Parlamentar te LDK-së