Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
, 24.10.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, në një takim që ka pasur me anëtarët e Kryesisë dhe me shefat e grupeve parlamentare, i ka njoftuar ata se nesër, më 25 tetor, do të kenë, në po këtë përbërje, një takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Kosovë, ambasadorin Frenk Uizner, në të cilin pritet të bisedohet për procesin negociator për përcaktimin e statusit të vendit.
Në takimin e sotëm të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare është konfirmuar edhe rendi i ditës për seancën plenare të 27 tetorit, pjesa e parë e së cilës është rezervuar për pyetjet e deputetëve për Qeverinë e Kosovës dhe përgjigjet e ministrave të resoreve.
Në po këtë seancë do të shqyrtohet raporti i Zyrës së Auditorit Gjeneral për të gjeturat faktike në Kuvendin e Kosovës, si dhe do të debatohet për punën njëvjeçare (2005), të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, për të cilën çështje fillimisht do të raportojë kryesuesi i ART-së, Anton Berisha.