Lajmet e fundit

Nga takimi i kuvendarëve me ambasadorin Uizner

, 25.10.2006




 

Statusi të zgjidhet brenda këtij viti

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare kanë pasur sot një takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Kosovë, ambasadorin Frenk Uizner, me të cilin kanë biseduar për procesin negociator për përcaktimin e statusit të vendit, duke prezantuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për pavarësinë dhe shfaqur këmbënguljen e tyre që statusi të zgjidhet brenda këtij viti.

Deklaratat për shtyrjen e statusit shkaktojnë shqetësim  tek qytetarët e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, duke e falënderuar ambasadorin Uizner për vizitën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-ve për lirinë e Kosovës, ka përvijuar punën që ka bërë Kuvendi i Kosovës për plotësimin e standardeve, duke theksuar në mënyrë të veçantë miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, atë për Lirinë fetare dhe atë për Trashëgiminë kulturore. Kreu i legjislativit ka pikasur edhe shqetësimin që shkaktojnë tek qytetarët e Kosovës deklaratat e herëpashershme të ndonjë përfaqësuesi nga bashkësia ndërkombëtare për mundësitë e shtyrjes së përcaktimit të statusit të vendit.

Përcaktimi i statusit të Kosovës sipas agjendës së Grupit të Kontaktit

Ambasadori Uizner, në fjalën e tij para parlamentarëve të Kosovës, ka qenë shumë i qartë dhe i prerë: Do të vazhdojë procesi për përcaktimin e statusit të Kosovës sipas agjendës së Grupit të Kontaktit dhe se SHBA-të angazhohen të mos vonohet zgjidhja e statusit.

Liderët të jenë unikë edhe pas statusit

Uizner, ndërkaq, ka kërkuar nga krerët institucionalë dhe politikë të vendit të jenë unikë, jo vetëm tani, por edhe në fazën e parë pas përcaktimit të statusit, sepse, siç është shprehur Uizner, Kosovën e presin sfida të mëdha.

Institucionet e vendit e zhvillojnë Kosovën

 “Kosova do të ndihmohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA-të në rrugën e saj drejt ardhmërisë, por institucioneve të Kosovës iu bie përgjegjësia për zhvillimin e vendit”, ka theksuar i dërguari i posaçëm të SHBA-ve për Kosovë, i cili është shprehur në favor të një sistemi funksional ekonomik të vendit, në raport me ndonjë konferencë donatorësh për Kosovën.

Të miratohet legjislacion i mirë

Uizner ka lavdëruar hapat e mirë që janë bërë në Kosovë për plotësimin e standardeve, por ka tërhequr vëmendjen se do të nevojitet punë edhe më e madhe pas përcaktimit të statusit, duke përmendur në mënyrë të veçantë legjislacionin për të drejtat e komunave, të minoriteteve, mbrojtjen e faltoreve etj.

Komunat të jenë të afta të mbijetojnë ekonomikisht

Duke iu qasur çështjes së decentralizimit, Uizner ka precizuar se komunat ekzistuese dhe ato që do të krijohen duhet të jenë të afta të mbijetojnë ekonomikisht dhe t’i kontribuojnë zhvillimit të vetë dhe të Kosovës.

Unikë për pavarësinë

Anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare që e kanë marrë fjalën në këtë takim: Sabri Hamiti, Xhavit Haliti, Alush Gashi, Numan Baliq, Mahir Yagcilar dhe Xhezair Murat, ishin unikë për Kosovën e pavarur dhe për kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-ve në rrugën e Kosovës drejtë lirisë dhe përparimit.

Të vazhdojë roli aktiv i SHBA-ve në procesin për Kosovën

Të gjithë kanë kërkuar rolin aktiv të SHBA-ve në procesin për Kosovën dhe praninë amerikane në Kosovë edhe pas statusit, duke përfshirë edhe investimet amerikane në ekonominë e vendit tonë. Përfaqësuesit e minoriteteve, ndërkaq, bashkë me mbështetjen për pavarësinë e vendit në afatin sa më të shkurtë, kanë kërkuar edhe garanca për respektimin e të drejtave  të minoriteteve.

Nga takimi i kuvendarëve me ambasadorin Uizner