Lajmet e fundit

Dëgjim publik mbi Projektligjin për arsimin dhe aftësimin privat

, 25.10.2006




Çfarë profili të aftësimit privat duhet të kemi,cila duhet të jetë struktura menaxhuese e institucioneve të arsimit privat, që nga çerdhet e deri te Universiteti, çfarë cilësie të aftësimit e dijes sigurojnë këto institucione, ishin tri nga dilemat kryesore që u shtruan në debatin publik lidhur me Projektligjin për arsimin dhe aftësimin privat, organizuar nga ana e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë , Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i Komisionit. Në këtë dëgjim publik merrnin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, të organizatave të arsimit e aftësimit profesional, si dhe nga institucione ndërkombëtare. Ishte ky dëgjimi i dytë publik mbi këtë projektligj, i cili qysh në vitin e kaluar është përkrahur në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës. Dilema ndaj këtij Projektligji shtrohej edhe nga fakti se , si u tha këtu, në Unionin Evropian nuk ka ligj të këtillë, shtetet e këtij Unioni këtë materie e kanë rregulluar në mënyra të tjera.

Në debatin e gjerë, nga ana e pjesëmarrësve u dhanë shumë vërejtje e propozime lidhur me tekstin e Projektligjit. Pjesa dërrmuese e diskutuesve ishin të mendimit se nuk duhet të ketë dallim ndërmjet arsimit privat dhe atij publik,sepse misioni i arsimit është unik.

Në këtë frymë ata kërkonin që këto institucione të gëzojnë ndihmën e shtetit në veprimtarinë e tyre, duke iu ofruar lehtësi të ndryshme, madje duke i kursyer edhe nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Kur është fjala te ana financiare kishte propozime që nga kriteri i garancionit bankar që kërkohet me këtë Projektligj, të hiqet fjala bankar, meqë garancion mund të japë edhe ndonjë organizatë tjetër financiare, madje që fjala bankar të zëvendësohet me garancion të patundshmërisë.

Dëgjim publik mbi Projektligjin për arsimin dhe aftësimin privat