Lajmet e fundit

Suspendohen 4 zyrtarë të administratës së Kuvendit të Kosovës

, 25.10.2006




Në bazë të nenit 3.2 a) të Urdhëresës Administrative nr. 2001/21 për zbatimin e Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/9 mbi Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë, nenit 31.1 dhe 31.5 të Urdhëresës Administrative nr. 2003/2 mbi implementimin e Rregullores nr. 2001/36 mbi shërbimin civil, Rekomandimit të Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa nr. 02-2629, Përfundimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nr. 02-2629-1/06 të datës 16 tetor 2006, si dhe Raportit të Zyrës së Auditorit Gjeneral të datës 03.07.2006 për të gjeturat faktike në Kuvendin e Kosovës, udhëheqja e administratës së Kuvendit të Kosovës aplikon masën e suspendimit dhe fillimin e procedurës disiplinore ndaj zyrtarëve civilë të administratës së Kuvendit të Kosovës:

1. Isuf Demaj, ish-sekretar i Kuvendit të Kosovës,

2. Jusuf Nikçi, drejtor ekzekutiv financiar në administratën e Kuvendit,

3. Alajdin Ibrahimi, shef i Seksionit të Prokurimit, dhe

4. Burim Latifi, zyrtar për furnizim.

Zyrtarët e përmendur suspendohen me arsyetim se ekziston dyshimi i bazuar për përfshirje në një numër të caktuar të shkeljeve, me qëllim përfitimi të drejtpërdrejtë për vete, apo duke iu mundësuar të tjerëve përfitime të caktuara materiale, si dhe shkelje të shumta të rregullores për përgjegjësinë e tyre të punës. Suspendimi akordohet për shkak të vlerësimit se qëndrimi i mëtejshëm në këto vende pune do të ndikojë negativisht në mbarëvajtjen e punës.

I mbetet Komisionit disiplinor që, brenda afatit të paraparë ligjor, të saktësojë shkallën e përgjegjësisë së secilit dhe të vendosë përfundimisht lidhur me këto raste.