Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti ambasadorin e Britanisë së Madhe në Beograd, David Gowan
, 26.10.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot ambasadorin e Britanisë së Madhe në Beograd, David Gowan, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, për procesin negociator për përcaktimin e statusit dhe për rolin konstruktiv që po luan Britania e Madhe në Grupin e Kontaktit për përcaktimin e statusit të vendit.
Kryeparlamentrari Berisha e ka falënderuar Britaninë e Madhe për ndihmën që i ka dhënë Kosovës që para lufte e deri më sot dhe ka kërkuar që Londra zyrtare të vazhdojë ta ndihmojë procesin për përcaktimin e statusit të vendit. Zotëri Berisha, pasi e ka njoftuar diplomatin britanik për zhvillimet në Kosovë dhe punën e Kuvendit të Kosovës për miratimin e legjislacionit, përfshirë edhe të ligjeve të cilat janë kërkuar si standard, ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për punë konstruktive në përcaktimin e statusit të Kosovës, duke precizuar se çështja e statusit duhet të përfundojë këtë vit.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, David Gowan, i cili shoqërohej shefi i Zyrës Britanike në Prishtinë, David Blunt, ka vlerësuar punën e mirë që po bën udhëheqja e Kosovës për plotësimin e standardeve dhe përfshirjen e minoriteteve në institucionet e vendit. Ai, ndërkaq, ka shprehur angazhimin e vendit të tij në Grupin e Kontaktit që statusi i Kosovës të zgjidhet sa më parë.
Një pjesë të fjalës së tij ambasadori britanik në Beograd, Gowan, ia ka kushtuar edhe zhvillimeve në skenën politike të Serbisë, në kontekstin e zgjedhjeve atje dhe referendumit për kushtetutën e re serbe.
Kreu i legjislativit të vendit, Berisha, ka paraqitur qëndrimin e institucioneve të Kosovës për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, prandaj në të ardhmen edhe me Serbinë. Ai është shprehur kundër shtyrjes së procesit për zgjidhjen e statusit dhe ka tërhequr vëmendjen se zgjedhjet në Serbi dhe referendumi nuk duhet të jetë justifikim për asnjë shtyrje të procesit për statusin e Kosovës.
Berisha e ka garantuar diplomatin britanik se Kosova pas statusit do të jetë një shtet demokratik i qytetarëve të barabartë, pavarësisht nga përkatësia etnik dhe fetare e tyre.