Lajmet e fundit
Ndërpritet seanca plenare
, 27.10.2006
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë mundur të merren vesh për rendin e ditës së seancës sotme, të miratuar tri ditë më parë nga Kryesia e Kuvendit.
Pasi që kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, ka kërkuar që shqyrtimi i Raportit të Zyrës së Auditimit Gjeneral për të gjeturat faktike në Kuvendin e Kosovës ( i shpërndarë deputetëve më 6 tetor 2006 ), të shtyhet për ndonjë seancë tjetër, me arsyetimin se dokumenti nuk është auditim i përfunduar për Kuvendin, kurse dy grupe të tjera parlamentare ( PDK dhe ORA) kanë këmbëngulur që për raportin të debatohet në Kuvend, kryeparlamentari Berisha ka propozuar një pauzë, në të cilën shefat e grupeve parlamentare do të harmonizonin qëndrimet për këtë çështje.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, nuk ka pranuar takimin me shefat e grupeve të tjera parlamentare dhe ka insistuar që propozimi i tij të hidhet në votim. Pasi që me shumicë votash është hequr nga rendi i ditës Raporti i auditimit për të gjeturat faktike në Kuvendin e Kosovës, deputetët nga radhët e PDK-së dhe të ORA-s e kanë braktisur seancën plenare.
Pas pauzës është konstatuar se nuk ka forum të mjaftueshëm për vendime të plotfuqishme të seancës plenare. Është proceduar vetëm me pyetje të deputetëve, por është konstatuar se deputetët që kishin shtruar pyetje me shkrim për Qeverinë e Kosovës nuk ndodheshin në sallë. Pasi kishte vetëm një pyetje me gojë nga deputeti Ali Sadriu lidhur vendosjen e paligjshme, në disa anë të Kosovës, të antenave të firmave të palicencuara telefonike, seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar.
Në seancën e sotme ishte paraparë të shqyrtohej edhe Raporti për punën e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit për vitin 2005.