Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 02.11.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e saj të sotme të kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka rishikuar rendin e ditës për seancën, të cilën kryeparlamentari Berisha e ka ftuar për ditën e premte, më 3 nëntor dhe ka bërë përpjekje serioze t’i plotësojë kërkesat e opozitës, në mënyrë që deputetët e tri grupeve parlamentare që braktisën seancën e 27 tetorit, të kthehen Parlament.

Kryesia ka vendosur që debati për raportin e Zyrës së Auditorit Gjeneral për të gjeturat faktike në Kuvendin e Kosovës, të jetë i lirë, duke rezervuar dhjetë minuta për çdo deputet që dëshiron të flasë për këtë çështje, nëse Kuvendi nuk vendos ndryshe.

Pas shqyrtimit të gjatë të kërkesave të liderëve opozitarë për krijimin e një komisioni hetimor në Kuvendin e Kosovës për menaxhimin financiar në Kuvend, anëtarët e Kryesisë me shumicë votash kanë vendosur që Kryesia t’i propozojë Kuvendit që pas debatit të hidhet në votim formimi i komisionit hetimor. Ndërkaq, kërkesa tjetër e opozitarëve që komisioni të udhëhiqet nga opozita, ka mbetur të shqyrtohet në seancën plenare.

Në po këtë seancë do të debatohet edhe për punën njëvjeçare (2005), të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, për të cilën çështje fillimisht do të raportojë kryesuesi i ART-së, Anton Berisha, kurse një pjesë e seancës është rezervuar për pyetjet e deputetëve për Qeverinë e Kosovës dhe përgjigjet e ministrave të resoreve

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës