Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti delegacionin e Komisionit për Politike të Jashtme të Kuvendit të Nevojë për thellim për thellim të bashkëpunimit institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë
, 08.11.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot delegacionin e Komisionit për Politike të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në përbërje: Preç Zogaj, kryetar i komisionit (PD), Luan Skuqi, anëtar (PD), Kastriot Islami, anëtar (PS), Neritan Ceka, anëtar (AD) dhe Krenar Hajderi, këshilltar i Komisionit dhe ka biseduar me ta për zhvillimet në të dy vendet dhe për nevojën e thellimit të mëtutjeshëm institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Në këtë takim, në të cilin merrnin pjesë edhe anëtarët e Kryesisë, Sabri Hamiti dhe Xhavit Haliti, kryeparlamentari Berisha, fillimisht ka prezantuar një pasqyrë të zhvillimeve në Kosovë dhe të punës së Kuvendit të Kosovës. Berisha këtë vizitë të parlamentarëve shqiptarë e ka vlerësuar si dëshmi të domosdoshmërisë së bashkëpunimit institucional ndërmjet të dy parlamenteve. Ai falënderoi për kontributin e Kuvendit të Shqipërisë dhe përgjithësisht të shtetit shqiptar për çështjen e Kosovës. Në cilësinë e anëtarit të Grupit Nergociator Berisha, ndërkaq, ka folur për ecurinë e deritashme të bisedimeve për statusin e vendit.
Kryetari i Komisionit për Politike të Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë, Preç Zogaj, ia ka përcjellë Berishës përshëndetjet e kryeparlamentares Topalli dhe ka spikatur qëndrimin parimor të parlamentarëve shqiptarë për Kosovën, gjatë komunikimit me botën. Ai madje ka pohuar se për të ardhmen e Kosovës nuk ka dallime ndërmjet grupimeve politike në Shqipëri.
Zogaj ka shpjeguar edhe dinamikën e punës që është bërë deri tash në autostradën Durrës-Prizren dhe ka theksuar rëndësinë që ka ky aks rrugor për zhvillimin e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Anëtari i Kryesisë dhe kryetar i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, Sabri Hamiti, ka vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin institucional, i cili duhet të zhvillohet pa paragjykime. Ai është shprehur optimist se bashkëpunim të frytshëm mund të ketë edhe në shumë fusha dhe sektorë të tjerë, gjithsesi duke këmbyer përvojat më të mira nga të dy anët.
Edhe bashkëbiseduesit tjerë të këtij takimi kanë folur për nevojën e bashkëpunimit të përhershëm dhe për aspiratën e përbashkët për integrime euroatlantike.