Lajmet e fundit
Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar takoi delegacionin parlamentar të Shqipërisë
, 09.11.2006
Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Sabri Hamiti, kryetar i Komisionit, ka pritur sot në një takim të përbashkët delegacionin e Komisionit për Politike të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të prirë nga Preç Zogaj, kryetar i këtij Komisioni, për të këmbyer mendime për thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, për mbështetjen reciproke në këtë fazë të përcaktimit të statusit për Kosovën dhe për synimet e përbashkëta lidhur me integrimet kombëtare, rajonale dhe euroatlantike, të cilat vlerësohen kusht i domosdoshëm për zhvillim, paqe e stabilitet të rajonit.
Duke e përshëndetur këtë vizitë të parlamentarëve shqiptarë dhe duke e vlerësuar shumë pozitivisht bashkëpunimin institucional të dy kuvendeve, Sabri Hamiti i ka ftuar pjesëmarrësit e këtij takimi të shprehën në mënyrë të lirshme për çështjet që i preokupojnë deputetët e të dy vendeve.
Kryetari i Komisionit për Politike të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, Preç Zogaj, duke falënderuar për ftesën për vizitë, e ka vlerësuar tepër të rëndësishme takimin e përfaqësueseve të zgjedhur të popullit dhe ka theksuar nevojën e forcimit të dimensionit parlamentar ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës. Ai me këtë rast ka përvijuar qëndrimin e shtetit shqiptar për raporte partneriteti me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të për zgjidhjen e statusit të Kosovës, konform qëndrimeve të Grupit të Kontaktit, agjendës së kryenegociatorit Ahtisari, si dhe vullnetit të popullit të Kosovës, zgjidhje kjo që krijon paqe e stabilitet në rajon. Duke përkujtuar rëndësinë që shteti shqiptar i jep zhvillimit të papenguar të të gjitha bashkësive etnike në Kosovë, Zogaj ka përmendur si shembull pakicën greke në Shqipëri, e cila i ka gëzuar të drejtat maksimale, madje edhe në kohën e komunizmit.
Në vazhdim Zogaj ka përmendur luftën që po bën Shqipëria kundër krimit të organizuar dhe për vendosjen e shtetit ligjor. Ai, ndërkaq, ka theksuar në mënyrë të veçantë vendosmërinë e shtetit shqiptar për të ndërtuar rrugën Durrës-Kukës-Morinë, e cila do ta lehtësojë integrimin ndërshqiptar e rajonal dhe do t’i shërbejë zhvillimit të të dy vendeve, madje edhe pjesës jugore të Serbisë.
Anëtarët e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar: Nexhat Daci, Xhezair Murat, Xhavit Haliti e Teuta Sahatxhiu, kanë folur për aspekte të veçanta të bashkëpunimit Kosovë- Shqipëri, me theks të veçantë mbështetjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, sipas vullnetit politik të popullit të saj, si dhe kanë shprehur qëndrimin unik për pavarësinë e vendit dhe të drejtat e garantuara për të gjitha minoritetet në Kosovë. Deputeti Gjertgj Dedaj, ndërkaq, ka qenë kritik ndaj institucioneve të Kosovës, sidomos për vonesën e përcaktimit të statusit.
Edhe parlamentarët tjerë nga Shqipëria: Kastriot Islami, Luan Skuqi dhe Neritan Ceka, u kanë garantuar deputetëve të Kosovës se në Shqipëri nuk ka dallim ndërmjet forcave politike për sa i përket të ardhmes së Kosovës. Ata e kanë vlerësuar të pjekur klasën politike të Kosovës që ka marrë obligimin ta realizojë statusin e Kosovës, sipas vullnetit popullit, duke shtuar se një Kosovë e pavarur do të reflektojë paqe e stabilitet në gjithë rajonin dhe se zgjidhja e tillë do ta lironte edhe vetë Serbinë.
Në përfundim të takimit, kryetari i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Sabri Hamiti, ka përkujtuar thëniet e presidentit të ndjerë Rugova për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, si dhe për marrëdhënie të mira me BE-në dhe miqësi të përhershme me SHBA-të. Ndërkaq, duke u shprehur në mënyrë të figurshme për magjistralen që lidh Kosovën me Shqipërinë është shprehur: ”Kur lidhet mali me detin, bëhet qarkullimi i njerëzve dhe i mallrave, por edhe i interesave dhe i emocioneve”