Lajmet e fundit

Nga mbledhja e rregullt e Komisionit të Shëndetësisë, Punës dhe e Përkujdesjes Sociale e Kuvendit të Kosovës

, 09.11.2006




Përveç disa shkaqeve subjektive, megjithatë shkaku kryesor i grevës në QKU është i natyrës objektive, e gjithë kjo për shkak të mungesës së mjeteve materiale. Në vitin 2006 Buxheti i shëndetësisë ka pasur në dispozicion 49.000.000 € dhe kjo shumë nuk i ka përmbushur të gjitha nevojat të cilat i kërkon Shëndetësia e Kosovës. Gjithashtu me Buxhetin e Kosovës për vitin 2007 për nevojat e shëndetësisë kosovare janë paraparë 51.050.000 €, kjo shumë nuk është e mjaftueshme për përmbushjen e nevojave të Shëndetësisë së Kosovës. Këto ishin disa nga konstatimet e Komisionit të Shëndetësisë, Punës dhe Përkujdesjes Sociale të Kuvendit të Kosovës, me të cilin ka kryesuar z.Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kryetare e Komisionit, e në të cilën e vetmja pikë e rendit të ditës ka qenë situata aktuale në QKU, përkitazi me grevën e punëtorëve shëndetësorë, e në kontekst të saj çka ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësinë e Kosovës për tejkalimin e situatës ekzistuese.

Në këtë mbledhje përveç anëtarëve të Komisionit të përmendur, ka marrë pjesë edhe ministri i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës z. Sadik Idrizi me dy këshilltarët e tij. Në këtë mbledhje, duke folur për situatën e porsakrijuar ministri Sadik Idrizi ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim deri në fund të vitit Shëndetësisë së Kosovës t’i ndahen mjetet në shumë prej 800.000 €, si ndihmë dhe se në periudhën nga fillimi i muajit tetor e deri më sot në emër të blerjes së barërave nga lista esenciale për nevojat e QKU-së janë ndarë mjete në shumë prej 183.000 €.

Në vazhdim ministri Sadik Idrizi ka theksuar se QKU-ja ka në dispozicion gjithsej 17.000.000 € gjatë vitit për përmbushjen e nevojave të veta dhe se është duke u punuar në këtë drejtim që të gjendet mundësia që kjo shumë të rritet, në mënyrë që të krijohet mundësia për financimin normal të QKU-së. Në vazhdim të mbledhjes ministri Idrizi, gjithashtu ka theksuar se është e nevojshme të punohet që në Kosovë të formohet Fondi i Mbrojtjes Shëndetësore si për të punësuarit, ashtu edhe për bujqit, e të cilët me ndarjen e mjeteve materiale deri diku do të stabilizonin gjendjen materiale në Shëndetësinë e Kosovës.
Nga mbledhja e rregullt e Komisionit të Shëndetësisë, Punës dhe e Përkujdesjes  Sociale e Kuvendit të Kosovës