Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 09.11.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e saj të sotme të kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka miratuar rendin e ditës për seancën e 16 tetorit, në të cilën pas pyetjeve të deputetëve për punën e Qeverisë dhe përgjigjeve të ministrave të resoreve, do të shqyrtohen katër projektligje. Për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për Auditimin e brendshëm, kurse për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për shndërrimin e poseduesve të paluajtshmërive private në pronarë, ai për Noterinë dhe ai për Punën.

Në po këtë seancë do të debatohet edhe për punën e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, për të vitin 2005.

Kryesia e Kuvendit sot ka shqyrtuar edhe dy kërkesa lidhur me veprimet dhe procedurat për përcaktimin e simboleve shtetërore të Kosovës. Njëra kërkesë ishte shtruar nga grupi parlamentar ORA, kurse tjetra nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Kryesia ka vlerësuar se pasi që të merret një vendim për inicimin e procedurës për zgjedhjen e simboleve, çështja duhet të kalohet tek grupet parlamentare, që nënkupton edhe diskutime publike të segmenteve të ndryshme të shoqërisë.

Kryesia ka shqyrtuar edhe Raportin e Komisionit për çështje gjyqësore, legjislacion dhe kornizë kushtetuese lidhur me listën e kandidatëve të propozuar për pozitën e Avokatit të popullit dhe zëvendësit kryesor të Avokatit të popullit, i cili duhet të nxirret në një seancë plenare, si dhe kërkesa e mocione të komisioneve e të grupeve parlamentare.

Është miratuar kërkesa e Komisionit për arsim, për lejimin e nismës për hartimin e Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për arsimin fillor dhe të mesëm ligji nr. 2002/2, kurse peticioni i qytetarëve të Gjilanit kundër decentralizimit në baza etnike dhe ai i partive dhe shoqatave të Komunës së Vitisë kundër decentralizimit i është deleguar Nënkomisionit për peticionet.

Kryesia ka marrë në njoftim Raportin e Komisionit për Siguri për konferencën njëditore në fushën e sigurisë të mbajtur me 27.09.2006, si dhe atë të Komisionit për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural në lidhje me Projektligjin për Parqet nacionale.

Në funksion të kursimeve të mjeteve financiare për udhëtimet e deputetëve jashtë vendit është vendosur që kriteret për pjesëmarrje në takime dhe konferenca ndërkombëtare të nxirret në séance plenare të Kuvendit.

Kryesia e ka vlerësuar pozitivisht punën provuese të sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi dhe ka vendosur që t’ia vazhdojë kontratën e punës

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës