Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion të KFOR-it Amerikan
, 10.11.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Kolë Berisha priti sot një delegacion të ushtarakëve të lartë të Zyrës Civile të Batalionit 353 të KFOR-it Amerikan i cili drejtohej nga Terry Bumann.
Gjatë takimit u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë, u çmua lart shkalla e bashkëpunimit të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës me strukturën ushtarake të KFOR-it në Kosovë e në këtë kuadër edhe me kontingjentin amerikan të KFOR-it dhe komandën e kampit “Bondstill”. Kryeparlamentari Berisha foli për punën në Kuvend, si dhe proceset politike në Kosovë . Ai theksoi se prania ushtarake e KFOR-it edhe pas zgjidhjes se statusit është në interes të paqes në Kosovë dhe në tërë rajonin.
Ushtarakët e lartë amerikanë Bumann dhe Andy Currier , që të dy rreshterë të Klasit të parë, sollën për kryeparlamentarin Berisha përshëndetjet e gjykatëses nga Distrikti Jugor i Teksasit , zonjës Diana Saldana dhe një çekan druri të punuar në mënyrë artistike , ku janë gdhendur edhe emrat e dhuruesve , emri i gjykatëses dhe i gjykatës, si dhe Zyrës Civile të Batalionit 353 të KFOR-it amerikan. Në këtë dhuratë është edhe shenja e Senatit të Teksasit nga sesioni i 77-të. Dhurata përmban mesazhin e bashkëpunimit dhe punës në Kuvendin e Kosovës.