Lajmet e fundit
Seminar dyditor i deputetëve dhe i stafit të Kuvendit në temën
, 13.11.2006
Mbikëqyrja Parlamentare e Qeverisë
Organizuar nga Projekti për mbështetjen e Kuvendit të Kosovës dhe përkrahur nga OSBE-ja dhe NDI-a, do të organizohet në Prishtinë një seminar dyditor (14-15 nëntor) për deputetët dhe stafin e Kuvendit të Kosovës në temën Mbikëqyrja Parlamentare e Qeverisë.
Seminari do të përqendrohet në mjete të ndryshme parlamentare që tashmë ekzistojnë në Rregulloren e Punës për mbikëqyrjen e qeverisë, që aktualisht shfrytëzohet në katër Parlamentet e Konsorciumit, të cilat financojnë Projektin: Asambleja Nacionale Franceze, Bundestagu Gjerman, Dhoma e Përfaqësuesve Belg dhe Asambleja Nacionale e Sllovenisë. Mbikëqyrja dhe kontrolli Parlamentar mbulon punën e bërë më herët lidhur me angazhimin sa i përket planifikimit dhe vendimmarrjes, për të përgatitur Kuvendin e Kosovës të ushtrojë edhe ta përmirësojë funksionin parlamentar.
Në këtë seminar, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit dhe këshilltarët ligjorë nga 4 parlamentet: atij të Belgjikës, të Francës, të Gjermanisë dhe të Sllovenisë, do t’i shkëmbejnë përvojat e tyre me anëtarët e Kuvendit të Kosovës dhe me administratën e tij. Dialogu do të realizohet me diskutime në katër grupe (panele):
Mbikëqyrjen e buxhetit,
Kohën për pyetje, interpelanca dhe debate të veçanta,
Kontrollin nëpërmjet komisioneve dhe
Mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.
Projekti i financuar Evropian Mbështetje e Mëtejme për Kuvendin e Kosovës ka punuar me Kuvendin rreth çështjeve të ndryshme siç janë: Rregullorja e Punës, funksionimi më i mirë i komisioneve në punën e tyre, struktura dhe trajnimi i zyrtarëve (ndihmësve) parlamentarë, dhe avancimi i komunikimit me qytetarë.
Në kuadër të këtij seminari janë paraparë këto aktivitete:
Të hënën, me 13 nëntor, në ora 19.00, do të organizohet një pritje në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha, shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Verner Wnendt dhe Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Georgio Mamberto, do t’u drejtohen pjesëmarrësve.
Të martën, në ora 8.30, kryeparlamentari Berisha do të bëjë hapjen e seminarit në Hotelin Afa, në Prishtinë.