Lajmet e fundit

Pritje për pjesëmarrësit e Seminarit në temën Mbikëqyrja Parlamentare e Qeverisë

, 13.11.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, organizoi sot një pritje për pjesëmarrësit e Seminarit për deputetët dhe stafin e Kuvendit të Kosovës në temën : Mbikëqyrja Parlamentare e Qeverisë, që organizohet nga Projekti për mbështetjen e Kuvendit të Kosovës dhe është përkrahur nga OSBE-ja dhe NDI-a, i cili do të mbahet më 14 dhe 15 nëntor. Në këtë seminar, përfaqësuesit e zgjedhur të popullit dhe këshilltarët ligjorë nga 4 parlamente: atij të Belgjikës, të Francës, të Gjermanisë dhe të Sllovenisë, do t’i shkëmbejnë përvojat e tyre me anëtarët e Kuvendit të Kosovës dhe me administratën e tij.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve kryeparlamentari Berisha theksoi se ky është një moment për të shprehur mirënjohje për bashkëpunimin me organizmat ndërkombëtarë dhe parlamentaret evropiane, për të gjitha angazhimet e tyre të palodhshme dhe për ndihmesën bujare që na kanë dhënë e që po na japin në Kuvendin e Kosovës.

Ky lloj bashkëpunimi ka përshpejtuar instalimin e praktikave dhe të procedurave demokratike, të cilat janë dëshmuar si shumë efikase në vendet me traditë relativisht të gjatë demokratike e parlamentare.

Progresi në konsolidimin demokratik, që është bërë kohëve të fundit në Kuvendin e Kosovës, është vërejtur dhe është vlerësuar në disa raste në OKB, nga sekretari i përgjithshëm Kofi Anan, nga Grupi i Kontaktit, si dhe nga strukturat drejtuese të BE-së, por edhe nga një varg asociacionesh të tjera.

Neve natyrisht që na vjen mirë kur dëgjojmë fjalë të mira e komplimente, por tashmë e kemi bërë të qartë se kemi projekte dhe ambicie edhe më shumë, të ecim përpara edhe më tutje. Të ecim bashkë dhe të arrijmë progres të vazhdueshëm. Këtë e kemi borxh për faktin se Kuvendi është institucion kyç demokratik i Kosovës, i cili, duke pasur legjitimitetin e votës së qytetarëve të Kosovës, dëshiron që këtë përfaqësim ta bëjë në mënyrën sa më demokratike dhe sa më efikase.

Ne flasim në emër të qytetarëve, prandaj kemi dëshire dhe po bëjmë krejt ç’ është e mundur që ta përfaqësojmë sa më mirë interesin e tyre, ta përfaqësojmë dhe ta mbrojmë interesin e Kosovës.

Në këtë mënyrë, Kuvendi i Kosovës realizon rolin që ka para qytetarëve të Kosovës, por edhe në raport me proceset e përgjithshme stabilizuese në rajon.

Partneriteti me miqtë tanë ndërkombëtarë ka dhënë rezultate.

Në vargun e sukseseve tona, hap i madh pa dyshim ishte reforma që miratuam në muajin qershor të këtij viti. Në kuadër të këtij projekti është edhe pjesa që ka të bëjë me kontrollin demokratik të Qeverisë nga Parlamenti.

Duke e bërë pjesë të Rregullores këtë mekanizëm, sidomos pjesën e pyetje–përgjigjeve dhe të interpelancës, kemi ndërtuar infrastrukturën bazike. Dhe, kjo tashmë është treguar efikase.

Tani na pret punë e vazhdueshme për implementimin sa më aktiv e sa më konstruktiv të këtyre rregullave, theksoi kryeparlamentari Berisha .

Ndërkaq, duke i përshëndetur të pranishmit shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë,Verner Vnendt, pasi falënderoi ekspertët evropianë për ndihmën që japin në këmbimin e përvojave tha se kohëve të fundit në Kuvendin e Kosovës arrihen rezultate dhe progrese të mëdha, ndërsa në këtë rrugë së bashkë do të kemi të arritura edhe më të rëndësishme.
Pritje për pjesëmarrësit e Seminarit në temën Mbikëqyrja Parlamentare e Qeverisë