Lajmet e fundit

FJALA PËRSHËNDETËSE E KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOSOVËS, Z. KOLË BERISHA, NË SEMINARIN LIDHUR ME KONTROLLIN PARLAMENTAR TË QEVERISË

, 14.11.2006




Mirë mëngjesi dhe mirë se erdhët,

Kuvendi i Kosovës është i vendosur të luajë rolin e vet, para votuesve dhe para situatës në të cilën ndodhet Kosova në pritje të statusit të saj final.

Por, në të njëjtën kohë, Kuvendi dhe institucionet e tjera të Kosovës, po hartojnë plane për veprim adekuat edhe për periudhën e pas statusit.

Krahas rezultateve që gjithsesi janë të dukshme, angazhimi ynë në këtë fazë nënkupton edhe kërkimin e formave të reja të punës për më shumë sukses dhe begatim të procedurave e të praktikave të vendeve demokratike dhe zbatimin e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Ky qëllim na ka mbledhur sot këtu, rreth një teme kaq të rëndësishme, siç është “Kontrolli parlamentar i Qeverisë, sot dhe pas statusit të Kosovës”.

Ju, pjesëmarrës të nderuar, të gjithë e dini rëndësinë e kësaj teme bosht të këtij seminari. Por, më lejoni të përsëris edhe një herë se, në vetë thelbin e demokracisë, mund të thuhet se pjesën më të madhe e përmban pikërisht ky raport ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë, pra, mënyra e bashkëveprimit, ndarja e këtyre dy pushteteve, kontrolli demokratik, etj.

Ky edhe është synim yni që të ndjekim praktikat e avancuara të vendeve prej nga vijnë partnerët tanë të Konsorciumit për ndihmë të mëtejme Kuvendit të Kosovës.

Në çdo vend, në çdo shoqëri bashkëkohore, Kuvendi është organi i vetëm me legjitimitet demokratik, i cili është i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe ku vendimmarrja është publike.

Formimi i Qeverisë, kontrolli demokratik i Qeverisë dhe i qeverisjes, komunikimi i politikave me zgjedhësit, etj., të gjitha këto detyrime kushtetuese të Parlamentit janë me rëndësi vitale për çdo shoqëri bashkëkohore, e, së këndejmi, edhe për Kosovën.

Kjo sfidë kërkon angazhim aktiv dhe kreativ të deputetëve të Parlamentit, të cilët dëshmojnë përgjegjësi për mandatin e tyre.

Rezultati i pritshëm do të jetë i barabartë me atë që quhet interes i qytetarit dhe i votuesit, pra deputet aktiv, dhe Qeveri e përgjegjshme dhe efikase, e kontrolluar në mënyrë të vazhdueshme nga qytetarët, por përmes Parlamentit.

Trajtimi i kësaj teme është dëshmi e partneritetit të sinqertë me miqtë tanë ndërkombëtarë, dhe dëshmi e interesimit dhe e gatishmërisë sonë për t’u përballur me tema, me objektiva dhe me sfida të reja.

Kjo do të thotë se kemi bërë dhe do të bëjmë hapa të rëndësishëm si Kuvend, dhe synojmë që, në këtë drejtim, të avancojmë edhe më shumë, sepse kurrë dhe në asnjë vend të botës nuk mund të thuhet se ka demokraci të bollshme, sikundër që kurrë nuk duhet të pushojë nevoja për një përfaqësim më të denjë të votuesit tonë – të qytetarit të Kosovës.

Dy ditët e ardhshme, sot dhe nesër, janë një rast i shkëlqyeshëm për shtruarjen e ideve, të propozimeve, të kërkesave për sqarime, për heqjen e dilemave dhe të jepet kontribut i rëndësishëm i secilit prej jush në një temë shumë të rëndësishme për praktikat parlamentare, e, në këtë kontekst, edhe të Parlamentit të Kosovës.

Ju uroj punë të mbarë dhe suksese!
Faleminderit!
Prishtinë, 14 nëntor 2006

FJALA PËRSHËNDETËSE E KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOSOVËS, Z. KOLË BERISHA, NË SEMINARIN LIDHUR ME KONTROLLIN PARLAMENTAR TË QEVERISË