Lajmet e fundit
Nga punimet e Seminarit për deputetët dhe stafin e Kuvendit lidhur me mbikëqyrjen parlamentare të procedurave qeveritare, tash dhe pas statusit
, 14.11.2006
Deputetë dhe punonjës të stafit civil të Kuvendit të Kosovës, sot kanë pasur rast të këmbejnë përvojat e parlamentarizmit, për sa i përket mbikëqyrjes parlamentare të procedurave qeveritare, tash dhe pas statusit.
Seminarin e ka hapur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, i cili ka spikatur rolin ligjvënës dhe përfaqësues të Parlamentit, përfshirë edhe kontrollin permanent të Qeverisë, ka theksuar përvojën e mangët të jetës së vërtetë parlamentare në Kosovë dhe nga kjo edhe nevojën për të mësuar nga vendet me tradita të fuqishme demokratike parlamentare. Pasi që të pranishmit i ka përshëndetur Hugues de Courtivron (Projekti: Mbështetje e mëtejme për Kuvendin e Kosovës), deputetëve dhe punonjësve të Kuvendit të Kosovës, të ndarë në katër panele, përfaqësues me përvojë parlamentare nga vendet të cilat kanë krijuar Konzorciumin (Asambleja Nacionale Franceze, Bundestagu Gjerman, Dhoma e Përfaqësuesve Belg dhe Asambleja Nacionale e Sllovenisë), që e financon Projektin, u kanë përcjellë përvojat parlamentare të vendeve të tyre, lidhur me mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.
Në panelin e parë, në temën “Mbikëqyrja në seancë plenare, koha për pyetje, interpelanca dhe forma tjera të debatit”, kanë ligjëruar Marcel Dehoux, (Asambleja Franceze) dhe Christian Majewski, (Bundestagu Gjerman), të cilët kryesisht janë përqendruar në përvojat e parlamenteve të vendeve të tyre lidhur me pyetjet e deputetëve, interpelancën, mocionet për mosbesimin e Qeverisë dhe komisionet hetimore, kurse deputeti Naim Jerliu (LDK), ka prezantuar përvojat parlamentare të Kosovës për këto instrumente të demokracisë parlamentare. Temë e Panelit të dytë ka qenë: “Mbikëqyrja e buxhetit” - përmirësimi i kontrollit nga e kaluara në të tashmen”, për të cilin kanë folur David Geerts, (Dhoma e përfaqësuesve Belg) dhe Joze Koncan (Drzavni Sbor, Slloveni), ndërsa ka raportuar deputetja Safete Hadërgjonaj, (PDK).
Në temën “Mbikëqyrja përmes komisioneve funksionale dhe ato hetuese”(Paneli e tretë) kanë folur Andrea Kerstges, (Bundestagu Gjerman), Alberik Goris, (Dhoma e përfaqësuesve Belg), për përvojat kosovare në këtë rrafsh ka raportuar deputeti Mazllum Kumnova, (AAK), kurse debatit i ka kontribuuar edhe kryetari i Komisionit Hetimor për të gjeturat faktike nga Zyra e Auditorit Gjeneral në Kuvendin e Kosovës, deputeti Ferid Agani (GP për Integrim). Ndërkaq, në Panelin e katërt në temën “Mbikëqyrja e miratimit të ligjeve” kanë shpjeguar Frank Baron, (Asambleja Franceze), Samo Kutosh, (Drzavni Sbor Slloveni), kurse ka raportuar deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, (ORA).
Në orët e pasditës, seminari është përqëndruar në Mbështetjen Administrative për Kuvendin, e dhënë nga stafi i Kuvendit për seancën plenare dhe punën e komisioneve.
Panelet i kanë drejtuar: Virtyt Ibrahimaga e Alfonz Lentze, (Projekti: Mbështetje e mëtejme për Kuvendin e Kosovës), Franklin De Vrieze dhe Michael Schuetz (OSBE), si dhe Edmond Efendia, (NDI). Seminari ka sjellë përvoja interesante të jetës dinamike parlamentare në katër parlamentet evropiane, të cilat e mbështesin Kuvendin e Kosovës, sidomos sa i përket larmisë pyetjeve të deputetëve, përgjigjeve të rregullta të qeveritarëve në këto pyetje, të cilat bëhen në ditë të caktuara dhe transmetohen drejtpërdrejt në televizion. Për shkak të rrethanave të reja në Kuvendin e Kosovës, ka pasur ndërkaq interesim sidomos për procedurat e komisioneve hetimore.
Parlamentarët e Kosovës, në raport me katër parlamentet evropiane kanë mundur të lavdërohen vetëm për punën më të hapur të komisioneve parlamentare, megjithëse janë ankuar se sallat e mbledhjeve të tyre janë tepër të ngushta për të pranuar edhe qytetarë që dëshirojnë të asistojnë në mbledhjet e komisioneve.
Seminari, i cili është organizuar nga Projekti për mbështetjen e Kuvendit të Kosovës dhe është përkrahur nga OSBE-ja dhe NDI-a vazhdon punën nesër (të mërkurën) në temën Mbështetje Administrative për punën rreth seancës plenare dhe punës së komisioneve në dritën e instrumenteve të përshkruara për mbikëqyrjen parlamentare.