Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker

, 15.11.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha , kishte sot një takim me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker . Temë qendrore e takimit ishte çështja e bashkëpunimit më të thelluar ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Zyrës Ligjore të UNMIK-ut në lëmin e legjislacionit.

Në këtë vështrim kryeparlamentari Berisha kërkoi që të përshpejtohet procedura e nënshkrimit të disa ligjeve që tashmë presin në sirtarët e UNMIK-ut. Berisha u shpreh se do të jetë me interes që Zyra e UNMIK-ut të jetë më e pranishme në të gjitha fazat e hartimit të ligjeve , në mënyrë që pastaj mos të ketë dilema e vonesa në shpalljen e tyre, kështu njëkohësisht do të evitoheshin edhe punët e dyfishta në këto procedura.

Në këtë kontekst z. Ryker premtoi se do të angazhohet rreth mundësive për shpejtimin e punës së nënshkrimit të ligjeve , duke shfaqur bindjen se së shpejti do të nënshkruhen edhe disa ligje të tjera. Edhe në këtë takim u shprehën lëvdata për punën dhe përkushtimin e Kuvendit të Kosovës në hartimin dhe aprovimin e ligjeve të kërkuara nga ana e Grupit të Kontaktit. Në këtë frymë bashkëbiseduesit shprehën qëndrime unike për rëndësinë e Kuvendit të Kosovës në proceset e gjithmbarshme para dhe pas zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker