Lajmet e fundit
Përfundoj seminari për mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë
, 15.11.2006
Në ditën e fundit të seminarit për mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë, organizuar Projekti për mbështetjen e Kuvendit të Kosovës dhe përkrahur nga OSBE-ja dhe NDI-a, punonjësit e stafit civilë të Kuvendit, janë njoftuar me praktikat e katër parlamenteve që e ndihmojnë legjislativin e Kosovës për mbështetjen administrative të seancës plenare dhe të komisioneve, me theks të veçantë evidencimit të dokumentacionit në Zyrën për parashtresa dhe komunikimin me mekanizma të Kuvendit dhe të Qeverisë. Përfaqësues me përvojë nga Asambleja Nacionale Franceze, Bundestagu Gjerman, Dhoma e Përfaqësuesve Belg dhe Asambleja Nacionale e Sllovenisë, kanë shpjeguar përvojat e vendeve të tyre për evidentimin e rregullt të dokumenteve në Zyrën e Parashtresave dhe komunikimin e mekanizmave të Parlamentit, brendapërbrenda legjislativit dhe me Qeverinë.
Punonjës të sektorëve të ndryshëm të stafit civil të Kuvendit kanë shtruar shumë pyetje për sa i përket sajimit të agjendës për mbledhje të ndryshme në Kuvend, mbështetjes procedurale, organizimit të dëgjimeve publike, hartimit të rekomandimeve dhe raporteve të komisionit, shpërndarjes së ma materialeve etj.
Nga debati i djeshëm dhe i sotëm rezultoi se me një organizim më të mirë, sipas përvojave të vendeve me demokraci parlamentare të dëshmuar, mund të arrihen rezultate më të mira pune në Kuvendin e Kosovës dhe dinamikë më atraktive e punës parlamentare.
Në përmbyllje të këtij seminari udhëheqësi i ri i Projektit: Mbështetje e mëtejme për Kuvendin e Kosovës, Hugues de Courtivron, ka premtuar se në vazhdim të aftësimit të stafit civil do të organizohen disa vizita pune nëpër parlamentet që e mbështesin Kuvendin, kurse sekretari i Kuvendit, Ismet Krtasniqi, duke i falënderuar organizatorët e takimit dhe ligjëruesit, ka shprehur gatishmërinë e përhershme të administratës së Kuvendit për bashkëpunim dhe ngritje profesionale të stafit.