Lajmet e fundit
Udhëheqja e Kuvendit priti një delegacion të Bubdestagut gjerman
, 17.11.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, bashkë me anëtarët e Kryesisë, ka pritur sot një delegacion të Bundestagut gjerman të kryesuar nga Detlef Dzembritzki (nga grupi Parlamentar gjermano-jugevropian), me të cilin është biseduar për zhvillimet në Kosovë, për synimet e Kosovës e për integrime evropiane dhe euroatlantike, si dhe për rolin që Gjermania mund të luaj si kryesuese e radhës së Unionit Evropian (nga 1 janari i vitit të ardhshëm) për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por edhe për mbështetjen e ekonomike të vendit tonë.
Kryeparlamentari Berisha, ka folur gjerësisht për përbërjen e Kuvendit (përfaqësimin politik dhe etnik), punën që ka bërë legjislativi i vendit për përmbushjen e standardeve, duke theksuar sidomos miratimin Ligjit për gjuhët, atij për Liritë fetare dhe të Ligjit për trashëgiminë kulturore. Ai, ndërkaq, ka theksuar synimin e qartë të institucioneve dhe të popullit të Kosovës për pavarësinë e vendit, por e ka shprehur edhe shqetësimin që ka ngjallur në Kosovë vendimi për shtyrjen e zgjidhjes së statusit deri pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Me gjithë zhgënjimin që ka ngjallur kjo shtryje, ka theksuar Berisha, institucionet dhe populli i Kosovës i besojnë bashkësisë ndërkombëtare prandaj duan ta vazhdojnë bashkëpunimin e mëtejmë, por ai ka tërhequr vëmendjen se assesi nuk bën të ketë shtyrje të tjera për zgjidhjen e statusit.
Kryesuesi i delegacion të Bundestagut gjerman, Detlef Dzembritzki, ka lavdëruar punën e përkushtuar të Kuvendit të Kosovës dhe të institucioneve të tjera të vendit për plotësimin e standardeve. Ai ka çmuar pjekurinë e klasës politike dhe ka shfaqur kënaqësi për qetësinë, me të cilën është pritur në Kosovë vendimi për shtyrjen e zgjidhjes së statusit. Ai është shprehur i bindur se nuk do të ketë shtyrje të tjera dhe ka premtuar angazhimin e vendit të tij, i cili merr radhën e kryesimit të Unionit Evropian nga 1 janari i vitit 2007, jo vetëm për zgjidhjen e statusit, por edhe për përgatitjet që të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore, të integrohen në Unionin Evropian. “Kur kemi mundur të menaxhojmë me 450 milionë banorë të Unionit Evropian do të mundemi tas bëjmë këtë edhe me 23 milionë qytetarë shtesë të Evropës Juglindore”, ka thënë Dzembritzki, i cili ka theksuar rëndësinë që kanë marrëdhëniet e mira fqinjësore për vendet e këtij rajoni.
Anëtari tjetër i Bundestagut gjerman, Jyrgen Klimke (nga fraksioni CDU-CSU) është shprehur se nuk duhet të shtyhet zgjidhja e statusit të Kosovës dhe është angazhuar për një të ardhme evropiane të Kosovës. Duke pohuar se me gjithë faktin që Gjermania aktualisht ka vështirësi ekonomike, parlamentari gjerman ka theksuar se vendi i tij do ta ndihmojë Kosovën e passtatusit për integrime evropiane, siç u ka ndihmuar një varg vendesh të tjera, sot anëtare të UE-së.
Parlamentarët gjermanë kanë vlerësuar se pjesëtarët e minoritetit serb duhet të marrin pjesë në institucione dhe të integrohen në shoqërinë e Kosovës
Anëtarët e Kryesisë, Ramë Buja, Naim Maloku, Xhavit Haliti dhe Mahir Yagcilar, duke e marrë fjalën në këtë takim, janë shprehur se nuk ka dallime ndërmjet pozitës dhe opozitës, për sa i përket statusit të vendit. Ata kanë theksuar se populli i Kosovë do ta kalojë edhe rubikonin e 21 marsit (zgjedhjet në Serbi), që i është vënë, por kanë tërhequr vëmendjen se zgjidhja nuk duhet të vonohet për asnjë ditë. Që të gjithë kanë falënderuar për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e historisë së saj më të re dhe janë shprehur optimistë se Gjermania do ta luajë rolin e saj pozitiv, sidomos si kryesuese e radhës së UE-së.
Parlamentarët e Kosovës kanë theksuar resurset njerëzore dhe ato natyrore të vendit dhe kanë kërkuar mbështetjen gjermane për rimëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës.
Anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, u është përgjigjur pyetjeve të parlamentarit gjerman, Michael Brand (ka raportuar nga lufta në Kosovë) lidhur me të ardhmen e Mitrovicës dhe sistemin zgjedhor në Kosovë. Ai është shprehur prerë se nuk duhet të ndrysh kufijtë e Kosovës, që të mos ndodh, siç është shprehur ai, tërmet politik në gjithë Ballkanin. Hamiti ka theksuar se nuk mund të zbatohet asnjë zgjidhje si në Bosnje e Hercegovinë, kurse sistemin zgjedhor ka thënë se UNMIK-i ka imponuar një sistem proporcional, i cili jep rezultat joproporcional.
Takimet të tilla janë vlerësuar të dobishme, prandaj kryesuari i delegacionit parlamentar gjerman, Dzembritzki, e ka ftuar kryeparlamentarin Berisha dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit për një vizitë pune në Bundestag.