Lajmet e fundit
Nga punimet e ditës së dytë të seancës plenare
, 17.11.2006
Në ditën e dytë të seancës plenare deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar Raportin për punën e Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit për vitin 2005. Fillimisht për çështjen ka raportuar kryesuesi i ART-së, Anton Berisha, kurse pastaj është zhvilluar një debat i nxehtë për punën njëvjeçare të ART-së. Në fund me shumicë votash është miratuar ky raport, kurse nuk ka kaluar prozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së që Kuvendi i Kosovës ta shkarkojë Bordin e ART-së.
Me kërkesë të Partisë Demokratike Serbe të Kosovës (për tu konsultuar për kandidatët) është shtyrë për ndonjë seancë tjetër shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Çështje Juridike, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, lidhur me listën e kandidatëve të propozuar për pozitën e Avokatit të Popullit dhe të zëvendësit kryesor të tij.
Sipas kërkesës së Grupit parlamentar ORA dhe të atij për Integrim, po edhe për mungesë forumi, është shtyrë për ditën e hënë shqyrtimi i raportit të Komisionit për Shëndetësi lidhur me monitorimin e zbatimit e Ligjit për shëndetësi dhe shqyrtimi i propozimvendimit për lejimin e udhëtimeve zyrtare jashtë Vendit.