Lajmet e fundit

Nga punimet e ditës së fundit të seancës plenare

, 20.11.2006




Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar sot raportin e Komisionit për Shëndetësi lidhur me monitorimin e zbatimit e Ligjit për shëndetësinë. Deputetët kanë bërë kritika të shumta për sa i përket funksionimit të sistemit shëndetësor në Kosovë, sidomos në planin e zbatimit të legjislacionit të miratuar për këtë lëmë të rëndësishëm të jetës.

Me këtë rast para deputetëve ka folur edhe Ministri i Shëndertësisë, Sadik Idriz, i cili ka theksuar kushtet e vështira teknike dhe financiare të institucioneve shëndetësore dhe të punonjësve në to, duke kërkuar një mbështetje më të madhe institucionale dhe shoqërore për shëndetësinë.

Në fund deputetët e kanë miratuar Raportin e Komisionit për Shëndetësi, bashkë me rekomandimet për përmirësimin e gjendjes.

Deputetët, ndërkaq, e kanë shtyrë për në një seancë tjetër shqyrtimin e propozimvendimit për lejimin e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, në mënyrë që në ndërkohë të marrin informacion shtesë për praktikat parlamentare të vendeve të tjera për këtë çështje. 

PËRFUNDIMET E RAPORTIT 

Në bazë të fakteve relevante të cilat kanë rrjedhur nga puna e Komisionit gjatë vizitave në institucionet publike shëndetësore, dëgjimeve publike, me Ministrin e Shëndetësisë dhe bashkëpunëtorët e tij, personat përgjegjës të institucioneve të cilat komisioni nuk ka arritur t’i vizitojë drejtpërsëdrejti, pas diskutimeve të shumta në komision dhe pas shqyrtimit të dokumentacionit relevant, komisioni ka ardhur te këto përfundime:

Me gjithë rezultatet e shënuara në disa fusha të sektorit, është evidente se Ministria e Shëndetësisë, e preokupuar me probleme menaxheriale dhe vështirësi të natyrës tjetër, nuk ka arritur që të përmbushë në mënyrën e duhur funksionin e saj në përpilimin e politikave zhvillimore, si dhe hartimin, aprovimin dhe zbatimin e infrastrukturës përkatëse ligjore në përputhje me Ligjin për Shëndetësi. Ministria nuk ka plan kohor të zhvillimit të legjislacionit të nevojshëm, si dhe të prioriteteve brenda tij. Kjo ka shkaktuar mungesën e aktivitetit të planifikuar në zbatimin e Ligjit.

Mosrespektimi i afateve të përcaktuara kohore për fillimin e punës të disa organeve dhe institucioneve të përcaktuara me Ligj është brengosësh dhe ka pasur pasoja të konsiderueshme në sektorin e shëndetësisë. Kjo vlen veçanërisht për fillimin e funksionimit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, si dhe Këshillit të Përgjithshëm Profesional, por edhe për riorganizimin e QKUK, si dhe koordinimin e punëve me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë sa i përket zhvillimit të aktiviteteve mësimore dhe shkencore në institucionet shëndetësore të nivelit tretësor.

Prandaj, me qëllim të tejkalimit të situatës së tanishme të pavolitshme, Komisioni konsideron se është i domosdoshëm zbatimi i rekomandimeve të bëra në këtë Raport.

PËRMBLEDHJA E REKOMANDIMEVE

Rekomandimi 1: Ministria e Shëndetësisë të caktojë prioritetet dhe afatet kohore për përpilimin dhe zbatimin e akteve nënligjore të përcaktuara me Ligj.

Rekomandimi 2. Ministria e Shëndetësisë, të procedojë me procedurë urgjente: Planin Strategjik për Zhvillimin e Sistemit të Kujdesit Shëndetësor dhe Planin Afatmesëm të Zhvillimit në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, për miratim në Qeveri dhe në Kuvendin e Kosovës; si dhe Planin Operativ të Zhvillimit të Kujdesit Parësor shëndetësor për miratim në Kuvendet Komunale.

Rekomandimi 3. Ministria e Shëndetësisë, të angazhohet për njoftimin e duhur të punëtorëve shëndetësorë dhe aktorëve të tjerë relevant me legjislacionin në fuqi.

Rekomandimi 4. Me qëllim të realizimit të këtyre detyrave dhe që Zyra Ligjore e Ministrisë të disponojë me numër të mjaftueshëm ekspertësh ligjor të domosdoshëm për përpilim të projekt-ligjeve, të akteve nënligjore, të raportit vjetor dhe të dokumentacionit tjetër të nevojshëm, Ministria e Shëndetësisë të marr në konsideratë ristrukturimin e personelit ekzistues.

Rekomandimi 5. Në pajtim me Rregullën 53 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, Ministria të raportojë me shkrim dhe me gojë një herë në vit në mbledhjet plenare të Kuvendit.

Rekomandimi 6. Ministria e Shëndetësisë të zgjidhë sa më parë çështjet e diskutueshme me Ministrinë për Ekonomi dhe Financa dhe Komisionin për Buxhet dhe Financa, në mënyrë që të hapet rruga për miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Sigurime Shëndetësore si ligj qenësor për shëndetësinë kosovare. Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës duhet që me procedurë urgjente të amandamentojë Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Rekomandimi 7. Ministria e Shëndetësisë, të punojë më shumë në përmirësimin e praktikës menaxhuese në institucionet shëndetësore dhe sidomos në përmirësimin e menaxhimit të financave dhe prokurimit.

Rekomandimi 8. Komisioni sugjeron Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm që t’i jep prioritet auditimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Rekomandim 9. Ministria e Shëndetësisë të ndërmarrë masa për të siguruar kontroll të brendshëm që do të parandalojë dhe eliminojë praktikat jo etike të punës në sektorin farmaceutik.

Rekomandim 10. Ministria e Shëndetësisë, të zbatojë në mënyrë strikte Ligjin dhe të gjejë mënyrë efektive për të ndërprerë praktikën e dhënies së barnave nga persona që nuk janë farmacistë të licencuar.

Rekomandimi 11. Ministria e Shëndetësisë, të nxjerrë me procedurë urgjente aktin nënligjor me të cilin rregullohet furnizimi, depoimi, shpërndarja dhe disperzimi i barnave nga lista esenciale dhe mjeteve të tjera ndihmëse mjekësore, të evidentuara në regjistrin zyrtar.

Rekomandimi 12. Ministria e Shëndetësisë, të revidojë listën esenciale të barnave dhe materialit harxhues nga regjistri zyrtar, në pajtim me njohuritë bashkëkohore shkencore dhe profesionale, si dhe mundësitë reale të buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Rekomandim 13. Qeveria të rrisë buxhetin e Programit Farmaceutik, me qëllim të plotësimit sa më të mirë të furnizimit me artikuj nga Lista esenciale e barnave dhe materialin harxhues nga regjistri zyrtar.

Rekomandimi 14. Ministria të përgatisë një analizë kosto-përfitimi në lidhje me decentralizimin e prokurimit të artikujve nga Lista esenciale e barnave.

Rekomandimi 15. Ministria të marr masa kundër tendencës monopol dhe kualifikimit të interesave në tregun farmaceutik. Të forcohet kontrolli dhe garantimi i cilësisë së barnave që tregu të furnizohet me barna të standardeve Evropiane.

Rekomandimi 16. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me procedurë urgjente, të nxjerrin aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 31.1 të Ligjit për Shëndetësi.

Rekomandim 17. Qeveria (Ministria e Shëndetësisë) duhet të hartojë strategjinë efektive për zhvillimin e resurseve njerëzore në sektorin e shëndetësisë dhe t’ia paraqesë Kuvendit për miratim.

Rekomandimi 18. Ministria e Shëndetësisë të sigurojë zbatimin e aktit nënligjor, që rregullon edukimin themelor profesional të punëtorëve shëndetësorë pas përfundimit të fakultetit përkatës.

Rekomandimi 19. Ministria e Shëndetësisë, të sigurojë autonominë e plotë të Komiteteve specialistike sipas UA 17/2003 dhe të sigurojë ndalimin e cfarëdo lloj ndërhyrjeje dhe ndikimi në Bordin Qendror për Specializime me rastin e ndarjes së specializimeve, që është vërejtur në periudhën e deritanishme.

Rekomandimi 20. Ministria e Shëndetësisë, të këshillohet me institucionet shëndetësore lokale duke pasur parasysh planet e tyre me rastin e shpërndarjes së specializimeve.

Rekomandimi 21. Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Ministria e Shëndetësisë të sigurojnë mjete financiare për punësimin e punëtorëve shëndetësorë të cilët e kanë përfunduar me sukses edukimin e tyre specialistik, në bazë të planifikimit paraprak.

Rekomandimi 22. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria për Ekonomi dhe Financa, të sigurojnë mjetet financiare për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të punëtorëve shëndetësorë në bazë të Ligjit .

Rekomandimi 23. Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Ministria e Shëndetësisë të sigurojnë, që të gjitha të hyrat vetanake të Ministrisë së Shëndetësisë, që krijohen në procesin e edukimit themelor profesional, të regjistrimit dhe të licencimit, si dhe të edukimit specialistik të punëtorëve shëndetësorë, të mund të shfrytëzohen në tërësi nga Ministria e Shëndetësisë në funksion të mundësimit të zhvillimit profesional të punëtorëve shëndetësorë.

Rekomandimi 24. Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Ministria e Shëndetësisë të sigurojnë, që pagesa e kujdestarive dhe punës në ndërrime, si punë e obliguar me Ligj, të bëhet nga burime të qëndrueshme buxhetore dhe jo nga mjetet financiare të grumbulluara nga bashkëpagesat e shfrytëzuesve të shërbimeve shëndetësore.

Rekomandimi 25. Ministria e Shëndetësisë të marrë masat e nevojshme për funksionalizimin urgjent të Sistemit Informativ Shëndetësor.

Rekomandimi 26. Ministria e Shëndetësisë, me procedurë urgjente, të nxjerrë aktin nënligjor për sistemin informativ në shëndetësi, që do të sigurojë krijimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të strukturës organizative dhe profesionale dhe krijimin dhe zhvillimin e dokumentacionit dhe raportimit të qëndrueshëm brenda SISH.

Rekomandimi 27. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me procedurë urgjente, të nxjerrin aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 81, të Ligjit për Shëndetësi.

Rekomandimi 28. Ministria e Shëndetësisë me procedurë urgjente, të nxjerr aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 82.1, të Ligjit.

Rekomandimi 29. Ministria e Shëndetësisë me procedurë urgjente, të nxjerr aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 84.4, të Ligjit.

Rekomandimi 30. Ministria e Shëndetësisë me procedurë urgjente, të nxjerr aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 85, të Ligjit.

Rekomandimi 31. Ministria e Shëndetësisë me procedurë urgjente, të nxjerr aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 98.3, të Ligjit.

Rekomandimi 32. Ministria e Shëndetësisë, me procedurë urgjente të themelojë Grupin e punës për themelimin e Këshillit të Përgjithshëm Profesional në bazë të nenit 125 të, Ligjit.

Rekomandimi 33. Ministria e Shëndetësisë me procedurë urgjente, të përgatitë projektligjin e përcaktuar me nenin 109.2, të Ligjit.

Rekomandimi 34. Ministria e Shëndetësisë, të nxjerr aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 113.1, të Ligjit.

Rekomandimi 35. Ministria e Shëndetësisë të përgatitë aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 114.1, të Ligjit, që rregullon kujdesin shëndetësor në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme.

Rekomandimi 36. Ministria e Shëndetësisë të adresojë mungesën e resurseve humane, të infrastrukturës si dhe të mjeteve buxhetore që janë të nevojshme për funksionimin e kujdesit parësor.

Rekomandimi 37. Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në procedurë urgjente të nxjerrin aktin përkatës nënligjor, që do të rregullojë kompetencat e ndërsjella në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor.

Rekomandimi 38. Ministria e Shëndetësisë të përshpejtojë realizimin e strategjisë me qëllim të realizimit të konceptit të mjekësisë familjare të përcaktuar me Ligj.

Rekomandimi 39. Ministria e Shëndetësisë, të ndërmarr masat për rishqyrtim të funksionimit të Zyrave të Autoritetit Shëndetësor në funksion të zvogëlimit të aparatit të panevojshëm administrativ.

Rekomandimi 40. Ministria e Shëndetësisë, të nxjerr aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 29.3, të Ligjit.

Rekomandim 41. Ministria e Shëndetësisë të nxjerrë aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 78.2, të Ligjit.

Rekomandim 42. Komisioni rekomandon zhvillimin e politikës regjionale të sistemit të referimit jashtë vendit.

Rekomandim 43. Komisioni rekomandon Ministrinë e Shëndetësisë që sa më parë të përpilojë listën e shërbimeve shëndetësore të cilat mund të ofrohen në Kosovë, me qëllim të parandalimit të referimit të panevojshëm jasht vendit.

Rekomandimi 44. Ministria e Shëndetësisë, të shtojë angazhimin për të siguruar qasje të barabartë dhe të papenguar të të gjitha komuniteteve në institucionet shëndetësore në Kosovë.

Rekomandimi 45. Ministria e Shëndetësisë, të nxjerr aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 22.2 (c) të Ligjit.

Rekomandimi 46. Ministria e Shëndetësisë, të nxjerr aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 22.2 (d, të Ligjit.

Rekomandimi 47. Ministria e Shëndetësisë, me procedurë urgjente, të përgatit projektin e aktit ligjor të përcaktuar me nenin 24.6, të Ligjit.

Rekomandimi 48. Ministria e Shëndetësisë, të nxjerr aktet nënligjore të përcaktuara me nenet 37.2 dhe 38.3 të Ligjit.

Rekomandimi 49. Ministria e Shëndetësisë, të nxjerr aktin nënligjor të përcaktuar me nenin 39.2 të Ligjit.

Rekomandimi 50. Ministria e Shëndetësisë, me procedurë urgjente, të përgatitë projektin e aktit ligjor të përcaktuar me nenin 40.2, nenin 41, nenin 42 dhe nenin 43 të Ligjit.