Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti shefin e ri të Zyrës Sllovene në Prishtinë, Vojko Volk
, 23.11.2006
Në kuadër takime njohëse me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, sot ishte për vizitë në Kuvendin e Kosovës shefi i ri i Zyrës Sllovene në Prishtinë, Vojko Volk, të cilin e ka pritur kryetari i Kuvendit , Kolë Berisha. Duke i dëshiruar diplomatit slloven mirëseardhje dhe sukses në misionin e tij në Kosovë, Berisha është shprehur i bindur se do të vazhdojë të thellohet bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, kurse zyra Sllovene në Prishtinë do të ketë rol të rëndësishëm në përvijimin e këtij bashkëpunimi.
Kryeparlamentrari Berisha e ka falënderuar për gjithë ç’ka bërë Sllovenia për Kosovën dhe popullin e saj, sidomos ka lavdëruar paraqitjen e djeshme në Bruksel të europarlamentarit slloven, Jellko Kacin.
Me këtë rast, Berisha ka prezantuar një pasqyrë të punëve dhe të aktiviteteve të Kuvendit të Kosovës, ligjet e miratuara, sidomos ato të kërkuara nga Grupi i Kontaktit, ndërkaq ka folur edhe për prioritetet e Kuvendit deri në fund të kësaj legjislature, përfaqësimin e minoriteteve e të tjera.
Shefi i ri i Zyrës Sllovene në Prishtinë, Vojko Volk, duke paraqitur qëndrimin zyrtar të Sllovenisë për Kosovën, ka theksuar se statusi duhet të zgjidhet sa më parë të jetë e mundshme, të mos jetë i paqartë dhe të jetë sa më shumë në harmoni me vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Ndërkaq, sa i përket pranisë së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovën e passtatusit, Volk ka theksuar se ajo duhet të jetë sa më pak e dukshme.
Diplomati slloven ka pohuar se vendi i tij është i interesuar të bashkëpunojë me Kosovën, sidomos në planin ekonomik, ndërkaq ka premtuar edhe projekte për modernizimin e administratës publike në Kosovë.