Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti kryetaren e Federatës Botërore të Shoqatave të të Zhdukurve, znj. Jone Durgom-Powers

, 23.11.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot znj. Jone Durgom-Powers, kryetare e Federatës Botërore të Shoqatave të të Zhdukurve në Konfliktet e Armatosura, e cila shoqërohej nga Haki Kosumi, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Pagjeturve të Kosovës dhe nga Sheremet Ademi, kryetar i Asociacionit të Familjarëve të Personave të Zhdukur.

Qëllimi i takimit ishte koordinimi i aktiviteteve të mëtejme ndërmjet institucioneve qeveritare të Kosovës, asociacioneve të familjarëve të të pagjeturve dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të hedhur dritë në fatin e personave të pagjetur.

Kryetarja e Federatës Botërore të Shoqatave të të Zhdukurve, znj. Jone Durgom-Powers, e cila është duke mbledhur të dhëna nga familjarët e të pagjeturve, ka shprehur vendosmërinë e Federatës që e përfaqëson, të ndihmojë ndriçimin e fatit të të pagjeturve, sidomos në planin e ekspertizave nga profesionistë të mjekësisë ligjore.

Kryeparlamentari Berisha ka falënderuar për iniciativën dhe vullnetin e mirë, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës të ofrojë gjithë bashkëpunimin e nevojshëm sa i përket kësaj çështjeje të ndjeshme në Kosovë. Ai ka pohuar se është bërë pak për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, kryesisht për shkak të kompetencave të mangëta të institucioneve tona në këtë fushë.

Përfaqësuesit e asociacioneve për personat e pagjetur kanë kërkuar të bëhet më shumë presion ndaj Serbisë, në mënyrë që të ndriçohet e vërteta.

Në takim është biseduar edhe për iniciativat dhe procedurat që 27 prilli të shpallet Ditë e personave të pagjetur.

Kryeparlamentari Berisha priti  kryetaren e Federatës Botërore të Shoqatave të të Zhdukurve, znj. Jone Durgom-Powers