Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa

, 23.11.2006




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës , kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, shqyrtoi sot Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 2003/17 për prokurimin publik, me amendamente. Pas një debati të gjerë mbi këtë projektligj, i cili synon rregullimin e një materie shumë komplekse , Komisioni mori vendim që ta vazhdojë punën në ditët e ardhshme në amendamentimin nën për nën të këtij Projektligji, duke marrë për bazë edhe draft propozimet e AER-it, si dhe të USAID-it, i cili përfaqësohej nga Viliam Bill Klavon.

Në këtë mbledhje u shqyrtua edhe Projektligji për raportimin financiar të ndërmarrjeve, me amendamente. Përkitazi me këtë u tha se ndryshimet e propozuara janë mjaft të avancuara. Anëtarët e Komisionit ishin unik në qëndrimin rreth përcaktimit të shkallës së lartësisë së qarkullimit si kriter për zbatimin e auditimit, kur është fjala për ato biznese të cilat kanë qarkullim më të vogël financiar . Krejt kjo bëhej me qëllim që ndërmarrjet me qarkullim të vogël të mos rëndohen financiarisht, duke aplikuar auditivin . Me propozimet që u dhanë ky projektligj u përkrah dhe u dha në procedim të mëtejmë në Kuvend.

Në vijim Komisioni përkrahu propozimet për buxhetin e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Agjensionit Antikorrupsion dhe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, të cilat do t’ i rekomandohen për aprovim Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq, lidhur me buxhetin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe të Zyrës së Ombudspersonit do të vendosë në mbledhjen e ardhshme.
Mbledhja  e Komisionit  Parlamentar për Buxhet dhe Financa