Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti konsullin spanjoll në Beograd, z. Miguel Angel Vecino

, 27.11.2006




Zhvillimet aktuale në Kosovë dhe angazhimet drejt përcaktimit final të statusit të Kosovës ishin tema kryesore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me konsullin për çështje të Kosovës në Ambasadën e Spanjës në Beograd, z. Miguel Angel Vecino. Në fillim kryeparlamentari Berisha paraqiti një pasqyrë të zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë, si dhe të angazhimeve aktuale në Kuvend. Në këtë vështrim ai përmendi edhe avancimet që po shënohen në integrimin e minoriteteve në të gjitha segmentet institucionale dhe të jetës në Kosovë. Duke prezantuar këto suksese të shumta që po arrihen, Berisha u shpreh se fatkeqësisht këto rezultate nuk janë të njohura sa duhet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Kosova madje po dëmtohet nga propaganda të ndryshme , që konsistojnë në paraqitjen e gjendjes në Kosovë , ashtu si nuk është. Shih për këtë, u shpreh kryeparlamentari Berisha, është e nevojshme që të kemi kontakte sa më të shpeshta me vendet e Rajonit, por edhe me vende të tjera, siç është edhe Spanja, për të bërë një prezantim objektiv të asaj që ndodh në Kosovë. Në këtë frymë diplomatëve iu takon një obligim i veçantë që të prezantojnë këtë realitet të krijuar, ata madje nuk kanë pse të shtojnë asgjë, por vetëm të prezantojnë këtë gjendje, si dhe konceptet tona sot e nesër. Mbështetur në rezultatet që arrihen në të gjitha fushat e jetës në vend , Kosova pret nga Spanja të jetë më aktive në angazhimet rreth çështjes së përcaktimit të statusit të Kosovës.

Z. Miguel Angel Vecino tha se epilogu i statusit të Kosovës do të jetë pozitiv, duke vlerësuar se shtyrja që u bë nuk do të ketë konotacione negative, përkundrazi. Z. Vecino u zotua se do t’ transmetojë të gjitha këto qëndrime autoriteteve në Madrid, duke u pajtuar njëkohësisht me idenë e shpeshtimit të kontakteve të dyanshme.

Kryeparlamentari Berisha priti konsullin spanjoll në Beograd, z. Miguel Angel Vecino