Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti udhëheqjen e Këshillit Nacional të Personave me Aftësi të Kufizuara

, 30.11.2006




Krijimi i mundësive sa më të mëdha për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara, sidomos në përgatitjen e ligjeve sa më adekuate, ishte temë qendrore e takimit të kryeparlamentarit Kolë Berisha me Halit Ferizin, bashkëkryesues i Këshillit Nacional të Personave me Aftësi të Kufizuara . Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Aldo Spagnoli, administrator i organizatës “Wauba Athena Aulus” nga Milano i Italisë. Me këtë rast z. Ferizi shprehu shqetësimin lidhur me mos funksionimin e disa ligjeve që rregullojnë çështjen e personave me aftësi të kufizuara, duke kërkuar njëkohësisht edhe miratimin e ligjeve të tjera që do të plotësonin kuadrin e mbrojtjes së kësaj kategorie. Si tha, z.Ferizi, infrastruktura ligjore do të ishte edhe një ndihmesë e madhe për lehtësimin e sigurimit të fondeve nga bota.

Udhëheqja e këtij Këshilli kishte sjellë në Kuvend edhe një rekomandim që konsiston në përfshirjen e çështjes së personave me aftësi të kufizuara në strategjinë e ardhshme të zhvillimit të Kosovës, që gjithashtu do të lehtësonte sigurimin e mjeteve nga Konferenca e donatorëve, si dhe do të siguronte një shpërndarje sa më të mirë e transparente të mjeteve nga fondet.

Kryeparlamentari Berisha falënderoi mysafirin nga Milanoja për ndihmat e ofruara. Në vijim kryeparlamentari Berisha përkrahu të gjitha këto propozime e nisma të Këshillit , duke premtuar se Kuvendi do të ofrojë mbështetje institucionale për përmirësimin e pozitës së personave me aftësi të kufizuara

Kryeparlamentari Berisha priti udhëheqjen e Këshillit Nacional të Personave me Aftësi të Kufizuara