Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti zëvendësen e ndihmësit të sekretares së Shtetit të SHBA-ve, zonjën Rozmari Di Karlo
, 04.12.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot zëvendësen e ndihmësit të sekretares së shtetit të SHBA-ve, zonjën Rozmari Di Karlo, e cila shoqërohej nga Stefan Lehne, i dërguar i BE-së në bisedimet për statusin e Kosovës, si dhe udhëheqës të zyrave të shteteve perëndimore në Prishtinë dhe përfaqësues të mekanizmave të tjerë evropianë, të interesuar për mbarëvajtjen e procesit për Kosovën.
Kryeparlamentari Berisha e ka njoftuar delegacionin e lartë diplomatik për punën e Kuvendit të Kosovës, për reformat dhe ligjet e miratuara, sidomos ato që kanë rëndësi për standardet. Ai, ndërkaq ka folur edhe për detyrat e Kuvendit, sa i përket çështjes së statusit, ligjet që pritet të miratohen, hartimin e Kushtetutës, si dhe për rolin që do të ketë Kuvendi në gjithë procesin për përcaktimin e statusit. Kreu i legjislativit të vendit në këtë takim ka paraqitur edhe vizionet për modelin kushtetues të shtetit që do të ndërtohet.
Zëvendësja e ndihmësit të sekretares së shtetit të SHBA-ve, Rozmari Di Karlo, ka shprehur konsideratat e saj për punën e Kuvendit të Kosovës dhe për drejtimin e duhur të legjislativit nga kryeparlamentari Berisha. Ajo ka theksuar edhe rolin e rëndësishëm që do ta ketë Kuvendi deri në përcaktimin e statusit, si dhe në miratimin e ligjeve të nevojshme, në ndërkohë. Ajo e ka trimëruar zotin Berisha se reformat parlamentare janë çështje që duhet të vazhdojë.
I dërguar i BE-së për bisedimet për statusin e Kosovës, Stefan Lehne, ka spikatur rëndësinë e bashkëpunimit të Bashkimit Evropian për përcaktimin e statusit të Kosovës.
Diplomatët perëndimorë, ndërkaq, kanë pohuar se SHBA-të dhe BE-ja janë të interesuara për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës kanë nevojë ta qartësojnë statusin e vendit të tyre.