Lajmet e fundit

Nga dëgjimi për ngritjen e mbikëqyrjes parlamentare mbi institucionet e sigurisë

, 06.12.2006




Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me KIPRED-in dhe sponsorizuar nga OSBE-ja, ka organizuar dëgjim publik me Departamentin e Menaxhimit të Emergjencave nga Ministria e Punëve të Brendshme, në temën “Ngritja e mbikëqyrjes parlamentare mbi institucionet e sigurisë” .

Pos anëtarëve të Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga Naim Maloku, në takim ishin të pranishëm Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Kuçi, shefat e grupeve parlamentare, si dhe përfaqësues të OSBE-së dhe të Shoqërisë Civile (KIPRED).

Kryetar i Komisionit, Maloku, i ka njoftuar të pranishmit për punën e Komisionit Parlamentar për Siguri dhe për aktivitetet që parashihen në të ardhmen.

Drejtori i Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave, Bislim Zyrapi, ka folur për aktivitetin, organizimin dhe funksionimin e këtij departamenti. Pas prezantimit të zotëri Zyrapit, deputetët kanë shtruar pyetje të ndryshme që kanë të bëjnë me një siguri më të lartë për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Në takim është theksuar se Komisioni, përveç ushtrimit te kontrollit parlamentar për çështje të sigurisë, do ndihmojë sektorin përkatës, që të arrihet nivel sa më i lartë i sigurisë në Kosovë.