Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 11.12.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e saj të sotme, të kryesuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka vendosur që seanca plenare të mbahet më 14 dhjetor, në të cilën pas kohës së paraparë për pyetje parlamentare, lidhur me punën e Qeverisë së Kosovës, do të shqyrtohen shtatë projektligje. Për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për memorialin e ish-Presidentit Ibrahim Rugova, ai për Ndihmën shtetërore, ai për Trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe ai për Bletari. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për pajisje nën presion, ai për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patentim, si dhe ai për Sigurinë në komunikacionin rrugor.

Në po këtë seancë do të shqyrtohet Projektplani Hapësinor i Kosovës 2005-2015, si dhe propozimi i Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese për emërimin e Avokatit të Popullit (për emërimin e zëvendësit të tij kryesor, sipas përfundimit të Kuvendit, për konsultime shtesë).

Pas një debati të gjatë të anëtarëve të Kryesisë, është vendosur që në seancën e 14 dhjetorit të debatohet për raportin e Komisionit Evropian për Çështjen e Kosovës (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së).

Lidhur me kërkesën e Grupit Parlamentar për Integrim, që në seancën e radhës të debatohet lidhur me shtyrjen e vendimit për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, Kryesia ka vendosur që çështja të shtrohet në seancën e 21 dhjetorit, duke e autorizuar kryeparlamentarin Berisha, që të akordohet me presidentin Sejdiu dhe anëtarët e tjerë të Grupit Negociator, që të jenë të pranishëm në seancë.

Është përkrahur edhe kërkesa tjetër e Grupi parlamentar të PDK-së për të debatuar (në ndonjërën nga seancat vijuese) për gjendjen energjetike në Kosovë, por Kryesia ka vendosur që të kërkojë nga Ministria e Energjetikës dhe Minierave, një material bazë për diskutim, sa i përket gjendjes aktuale dhe asaj që pritet në energjetikën e Kosovës.

Sa i përket kërkesës së PDK-së që në seancën plenare të radhës të debatohet për krimet e bëra (në Kosovë) nga sistemi komunist prej vitit 1945 deri 1999, Kryesia ka vlerësuar se për çështjen nevojiten konsultime të grupeve parlamentare, për të proceduar konform Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për krimet e sistemit në ish vendet komuniste.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës