Lajmet e fundit

Kryeparlemntari Berisha priti një delegacion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së

, 12.12.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot një delegacion katëranëtarësh të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i udhëhequr nga presidenti Goran Lenmarker, të cilin e shoqëronte shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Werner Vnendt. I njëjti delegacion më pastaj është takuar edhe me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha, i ka njoftuar fillimisht parlamentarët e OSBE-së për punën e Kuvendit të Kosovës, sidomos sa i përket miratimit të ligjeve, kurse më pastaj është përqendruar në reformat parlamentare, të cilat konsistojnë në shtimin e kontrollit të punës së Qeverisë, pyetjet parlamentare, interpelancat, përgjigjet e kryeministrit dhe ministrave të resorëve etj. Berisha ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me OSBE-në dhe ka shprehur interesin e theksuar të parlamentarëve të Kosovës për anëtarësim të vendit në Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Ai, ndërkaq, ka theksuar vullnetin patundur të institucioneve dhe të qytetarëve të Kosovës për pavarësinë e vendit dhe është shprehur qartë nuk duhet të ndodh asnjë shtyrje tjetër e përcaktimit të statusit të vendit.

Është shumë i rëndësishëm kontrolli parlamentar i Qeverisë, është shprehur presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Goran Lenmarker. Ai ka theksuar se qeveritarët shpeshherë harrojnë se çka kanë premtuar në programin e Qeverisë, prandaj Parlamenti duhet t’ua përkujtojë dhe t’i kontrollojë, siç duhet të kontrollohen të gjitha pushtetet e tjera. Ai i ka inkurajuar parlamentarët e Kosovës që në këtë fazë të formësimit të punës së Kuvendit, të mos e lihen anash rritja e kapacitetit dhe e formave të kontrollit parlamentar.

Anëtari i Kryesisë, Ramë Buja, ka lavdëruar punën e OSBE-ë për mbështetjen e katër palë zgjedhjeve në Kosovë dhe ka spikatur se pozita dhe opozita dallohen për shumë gjëra, por jo për sa i përket vullnetit për pavarësinë e vendit.

Naim Maloku ka folur për ndihmën e OSBE-së për avancimin e punës parlamentare, duke u fokusuar në ndihmën që i është dhënë Komisionit parlamentar për Siguri, sa i përket kontrollit parlamentar të segmenteve të sigurisë.

Mahir Yağcılar është shprehur se janë krijuar hapësira të lakmueshme demokratike për avancimin e të drejtave të komuniteteve pakicë në Kosovë dhe për shprehje të lirë të mendimeve dhe të ideve për interesat e këtyre komuniteteve.

Gazmend Muhaxheri, ndërkaq, në fjalën e tij është përqendruar në nivelin jo të kënaqshëm të mbikëqyrjes parlamentare të Qeverisë, sidomos sa i përket shpenzimeve buxhetore të saj.

Në fund të takimit, Ambasadori Vnendt, ka shprehur kënaqësi për nivelin e bashkëpunimit me Kuvendin e Kosovës dhe është shprehur i gatshëm për thellimin e mëtutjeshëm të këtij bashkëpunimi të suksesshëm.
Kryeparlemntari Berisha priti një delegacion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së