Lajmet e fundit
Nga punimet e seancës plenare
, 14.12.2006
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën e sotme plenare kanë shqyrtuar për herë të parë: Projektligjin për ndihmën shtetërore, atë për Trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe atë për Bletari.
Megjithëse deputetët kanë votuar dy herë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe të zëvendësit kryesor të tij, nuk është arritur ndonjë vendim, për shkak të kontradiktës së Rregullores së Kuvendit dhe të asaj të UNMIK-ut për zgjedhjen e Ombudspersonit (Avokatit të Popullit). Çështja, me votim të deputetëve, i adresohet për shqyrtim dhe interpretim Kryesisë së Kuvendit.
Për shkak se nuk ka qenë e pranishme Ministra e Pushtetit Lokal, Melihate Tërmkolli, është shtyrë për ditën e hënë Projektligji për memorialin e ish Presidentit, Ibrahim Rugova. Grupi Parlamentar i PDK-së, ndërkaq ka kërkuar që ky projektligj të shtyhet për më vonë.
Po këtë ditë do të shqyrtohen për herë të dytë: Projektligji për pajisje nën presion, ai për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patentim, si dhe ai për Sigurinë në komunikacionin rrugor.
Do të shqyrtohet, ndërkaq, edhe Projektplani Hapësinor të Kosovës 2005–2015, do të debatohet për Raportin e Komisionit Evropian për Progresin në Kosovë.